Nje cështje hetimore e iniciuar nga dy vajzat e të ndjerit Alush Sejko në Sarandë, ka marë spunto për të vendosur masa sigurimi me karakter penal për 4 persona, tre ish-zyrtarë të hipotekës së Sarandës dhe biznesmenin, ish-deputet të PD, Gani Hoxha.
Aida Demi, ish-drejtuese e ASHK-së Sarandë, e akuzuar për “Shpërdorim detyre” është lënë në masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa për dy ish-zyrtarët e tjerë të ASHK-së,Ermen Stroka dhe Erald Gjika, të akuzuar edhe ata për “Shpërdorim detyre” është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”.
Të njëjtën masë sigurimi “Arrest shtëpie”, gjyqtari i çështjes Fatmir Ndreu, ka miratuar dhe për biznesmenin Gani Hoxha, ndaj të cilit prokuroria pretendon se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave”.
Çështja, ka disa kohë që është hetuar nga dy prokuroret e Sarandës Silvana Belishta dhe Valbona Maja, të cilat pas një seri veprimesh hetimore dhe pyetjes së kallëzuesve, përfshirë edhe Gani Hoxhën, kanë dalë në konkluzjonin se në këtë rast ekzistojnë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” për tre ish-zyrtarët e ASHK-së Sarandë dhe falsifikim dokumente për Gani Hoxhën.
Rasti në fjalë lidhet me këtë objekt që shihni në këtë foto dhe ndodhet në qytetin e Sarandës.
Pallati ka filluar të ndërtohet pas miratimit të lejës të lëshuar në vitin 2003 nga Bashkia e Sarandës, e cila miratoi ndërtimin e një pallati 9 katësh buzë rrugës që të çon në Qafë-Gjashtë.
Investitori i kësaj pasurie është ish-deputeti i PD Gani Hoxha, i cili në këtë periudhë lidhi një kontratë investimi me Alush Sejkon,pronarin që pretendonte se kishte dokumentat e tokës.
Kontrata është lidhur përmes shpërblimit 22 për qind të investimit që biznesmeni Gani Hoxha, duhet ti jepte Alush Sejkos. Mbi bazën e dokumentave që posedonte Alush Sejko, (vërtetim pronësie), kompania e Gani Hoxhës, “Super Beton Mati” ka aplikuar në vitin 2003 për tu paisur me lejë ndërtimi në bashkinë e Sarandës.
Prokuroria e Sarandës pretendon se kjo lejë nuk gjendet në arkivën e Bashkisë së Sarandës, ndërkohë leja disponohet nga biznesmeni Gani Hoxha, i cili gjatë një komunikimi në telefon me gazetarin Elton Qyno, konfirmoi disponimin e lejës së ndërtimit.
Sipas Gani Hoxhës, leja është e rregullt dhe është lëshuar nga zyrtarë të bashkisë Sarandë, por kësaj leje i ka përfunduar afati i zhvillimit në teren, për shkak të një anomalie të krijuar nga linja e tensionit të lartë në Sarandë.
“…leja e ndërtimit ka dalë nga zyra e Urbanistikës në bashkinë Sarandë dhe objekti ka filluar të ndërtohet. Ndërtimi ka vijuar deri në katin e tretë, siç duket dhe në gjëndjen që është sot. Por për shkak se sipër kësaj pasurie kalonte linja e tensionit të lartë që furnizon Sarandën me energji elektrike, punimet janë ndalur me qëllim zhvendosjen e linjës së korrentit dhe vijim më tej të punimeve…”-thotë ish-deputeti i PD, Gani Hoxha.
Në këtë kohë kompania e biznesmenit Gani Hoxha, ka aplikuar në institucionet e kohës, për të bërë zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë dhe mandej rifillimin e punës për ndërtimin e pallatit.
Pas shumë peripecive ëshhtë mundësuar zhvendosja e linjës së tensionit të lartë nga OSHE Sarandë, duke mundësuar ndërtimin e objektit. Por si pasojë e kohëzgjatjes së punimeve për zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë, paralelisht ka skaduar dhe afati i lejës së ndërtimit të pallatit.
Pikërisht këtu filluan dhe problemet e para me këtë objekt dhe njëkohësisht edhe me pronësinë reale të sipërfaqes së tokës prej 1 mijë metra katror, ku ishte vendosur ndërtimi i gjurmës së pallatit.
Për rinovimin e lejës së mdërtimit nga ana e bashkisë Sarandë është kërkuar çertifikata e pronësisë së tokës dhe kartale e rifreskuar e pasurisë. Alush Sejko, që pretendonte se ishte pronari nuk dispononte asnjë nga këto dokumenta, por vetëm një vërtetim hipotekor të lëshuar nga hipoteka e Sarandës.
Të ndodhur në këtë udhëkryq dhe labirinth pronësie, Gani Hoxha, është interesuar në hipotekën mbi pronarin real të kësaj pasurie, ku pas shumë dokumentash të mbledhura rezultoi se Alush Sejko nuk ishte pronari real i pasurisë, pasi toka ku ka nisur të ndërtohet pallati ishte sipërfaqe “SHTET”.
Këtu binte dhe kontrata e investimit që Gani Hoxha kishte bërë me Alush Sejkon, i cili nuk ka dokumenta mbi këtë pasuri. Gani Hoxha, ka aplikuar në ASHK-në Sarandë sipas ligjit në fuqi të legalizimit, duke mundësuar legalizimin e objektit në ndërtim e sipër.
Të gjitha pagesat mbi 50 milion lekë të vjetra për detyrimet në shtet janë paguar konform ligjit nga Gani Hoxha, si çdo qytetar që ka bërë procedurat e legalizimit të objekteve pa lejë.
Në 17 nëntor 2022 Agjencia Shtetërore e Kadastrës Sarandë ka miratuar lejën e legalizimit të objektit në Sarandë dhe disa kohë më vonë hipoteka e Sarandës, ka vijuar procedurat për paisje me çertifikatë pronësie të Gani Hoxhës.
Por nuk ka kaluar shumë kohë dhe drejtuesja e hipotekës Sarandë Aida Demi, e njëjta që kishte nxjerë hipotekën në rrethana të paqarta ka vendosur të kufizojë pronën, me një urdhër të dytë.
Sot e kësaj dite prona vijon të jetë në emër të Gani Hoxhës, por me masë kufizimi të vendosur nga vetë hipoteka Sarandë. Ndërkohë biznesmeni thotë se këtë vendim e ka kundërshtuar në Gjykatën Administrative Lushnjë.
Por paralelisht me masën kufizuese të vendosur në hipotekën e Sarandës, një çështje penale kishte filluar të ngrihej në prokurorinë e këtij qyteti.
Dy prokuroret e reja Silvana Belishta dhe Valbona Maja, kanë marë në dorë një kallëzim të dy vajzave të Alush Sejkos, pasi ky i fundit kishte ndëruar jetë dhe ato kanë hyrë në lojë si trashëgimtare.
Vajzat pretendojnë se prona e tyre është tjetërsuar nga Gani Hoxha, por në fakt as dy vajzat dhe as babai i tyre nuk ka qënë pronar i sipërfaqes së tokës prej 1 mijë m2.
“…Nëse do ishin pronare mund të nxjerin një dokument të vetëm dhe real…”-thotë Gani Hoxha nga arresti i shtëpisë ku ndodhet. Sipas tij nëse do kishte kartelë hipotekore babai i dy vajzave Alush Sejko, ai do kishte mundësuar rinovimin e lejës së ndërtimit dhe nuk do ishte impenjuar në legalizimin e objektit.
Hoxha s’qaron se gjithçka po iniciohet politikisht dhe financiarisht nga njëri nga dhëndëri i të ndjerit, Alush Sejko.
Tashmë çështja ka hyrë në një proces gjyqësor, ku pritet që ditën e nesërme gjyqtari i Sarandës Fatmir Ndreu, të rivlerësojë masat e sigurisë të dhëna për tre ish-zyrtarët e ASHK-së Sarandë dhe biznesmenin, Gani Hoxha.
Avokatët e Hoxhës, pritet të kërkojnë nesër heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-deputetin, pasi nuk janë kushtet e rrezikshmërisë shoqërore por dhe nuk ka asnjë indicie për të ikur apo shmangur drejtësisë nga Gani Hoxha.