Ngjarja e rëndë e vrajses së efektivit të policisë së “Shqiponjave” në Fier, Novruz Cenalia, shokoi opinionin publik, vetë Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme. Ministri Taulant Balla i bëri thirrje autorit Asllan Mernica, që të dorëzohet. Apel Balla pati dhe për blutë që ta arrestojnë 23-vjeçarin.
‘Nxis policinë dhe drejtuesit e saj që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit. E them shpesh që do të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie. Nuk dua të hyj në interpretimin e informacioneve paraprake, ende nuk dihen arsyet. Gjithsesi përgjegjësia e parë që bie mbi policinë është identifikimi menjëhershëm i autorëve. U bëj thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndojnë akuza që të dorëzohet.’- tha Balla.
Pas ngjarjes reagoi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili tha se do bëhet çdo gjë që autori të dal para ligjit. Numri një i policisë së shtetit përmes një deklaratë shtyp, paralajmëron se “kush cënon uniformën e policisë do marrë përgjigjen më të ashpër ligjore”.
“Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë. E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenoje uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.’- shkruan Rrumbullaku.
Polici i ndjerë Novruz Cenalia nuk kishte më shumë se një muaj që ishte martuar. Në kërkim të tij janë vënë forcat më elitë të Policisë së Shtetit, RENEA, të cilat janë zhvendosur në fshatin Havaleas, disa kilometra larg fshatit Sulaj, zonë ku banon autori, në kërkim të tij.