Deri në vitin 2020, Adem Metkola, një ish-i deportuar nga Anglia në vitin 2007, figuronte si një biznesmen i vogël, që merrej me dritare e kangjella, në zonën e Kamzës.
Punonte pa rënë shumë në sy dhe kishte krijuar pasuri të ndryshme. Madje, ishte në gjendje edhe të jepte shuma parash me hua.
Por, rreth fundit të vitit 2022, ai kreu një lëvizje, e cila ngriti receptorët e institucioneve ligjzbatuese.
Në dhjetor të atij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi leje ndërtimi për hotel 3-katësh në zonën bregdetare të Currilave në Durrës, me investitorë Adem Metkola dhe një shtetase britanike, Carolyn Perry.
Ky ishte momenti kur Metkola shfaqi në dritë pasurinë e tij. Një pasuri, e cila sipas Prokurorisë së Tiranës, dyshohet se nuk ka ardhur nga burime të ligjshme dhe e ka vendosur Metkolën nën hetim për “pastrim të produkteve të veprës penale” (pastrim parash).
Sipas dokumentave të konsultuar nga “Boldnews.al”, rezulton se prokuroria e Tiranës nisi hetimin për Adem Metkolën në maj 2023, rreth 5 muaj pasi ai kishte marrë firmën e Ramës për ndërtimin e resortit turistik në Durrës.
Nga verifikimet e kryera prej prokurores Rovena Zoto, rezulton se Adem Metkola ka pasur të ardhura minimale nga aktiviteti i tij tregtar, të cilat duket se nuk e kanë lejuar që të kryejë pasuri të konsiderueshme.
Gjithashtu, siç thuhet në dokumentat e prokurorisë, në llogari të Metkolës kanë mbërritur disa transferta të konsiderueshme nga Anglia, nëpërmjet tre femrave, dy prej të cilave nuk kanë shkelur asnjëherë në Shqipëri.
Transfertat janë dërguar nëpërmjet pikave të transferimit të parave dhe pa asnjë shpjegim.
Këto detaje kanë ngritur dyshimet e prokurorisë se paratë e mbërritura në llogarinë e Adem Metkolës janë pjesë e një procesi pastrimi parash nga burime të jashtëligjshme.
Leja e Ramës për resortKryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, miratoi vendimin nr. 12, dt. 28.12.2022 “Për ndërtimin e hotelit 1,2 dhe 3 kate, me vendndodhje Currila, Durrës”, me subjekt zhvillues Adem Metkola dhe Caroly Patricia Perry.
Në korrik të vitit 2020, Adem Metkola kishte marrë një transfertë në shumë 141.500 mijë euro nëpërmjet një pike transferimi parash në Angli. Dërguesja rezulton shtetasja Carolyn Perry.
I pyetur në Prokurori për këtë transfertë, Metkola deklaroi se shuma ishte kapar për blerjen e një toke në Durrës, në të cilën do të realizonte një investim së bashku me shtetasen angleze.
Në kuadër të hetimeve të nisura, Prokuroria e Tiranës verifikoi veprimtarinë financiare disa-vjeçare të Metkolës.
Ai rezultonte se ishte deportuar nga Anglia në vitin 2007 dhe prej asaj kohe nuk rezultonte të ishte kthyer në ishullin britanik.
Në llogaritë e tij dhe të (ish) bashkëshortes, Arjana Xhika, në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme.
Të gjitha dërgesat janë bërë nga Anglia dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, për të cilët, prokuroria e Tiranës, nuk ka provuar asnjë lidhje mes tyre dhe përfituesve. Po ashtu, rezulton se transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi.
Dërgueset e identifikuara janë dy shtetase rumune, Iulia Radu e Anxhela Fomina. Këto dy shtetase nuk rezulton të kenë hyrë asnjëherë në vendin tonë, ndërkohë që rezulton se janë mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet italiane për llogari të hetimeve të tyre.
Ndërsa dërguesja e tretë është Carolyn Perry, e cila rezulton të ketë hyrë në Shqipëri dhe se për të nuk janë identifikuar problematika penale.
Prokuroria ka verifikuar aktivitetin tregtar të Adem Metkolës në Shqipëri. Sipas informacionit të përcjellë nga administrata tatmore, rezulton se ai është i regjistruar si person fizik me nr NIPTI LxxxxxT, me datë krijimi 13.05.2018, me objekt veprimtarie punime alumini, kangjella, etj.
Nga verifikimi i të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Hetimit Tatimor rezulton se tatimi i thjeshtuar me vlerë më të lartë për subjektin është për vitin kalendarik 2022, me vlerë 302,813 lekë, ndërkohë që për vitet e tjera është shumë më i ulët.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka informuar prokurorinë se, referuar regjistrit noterial, Adem Metkola ka lidhur ndër vite kontrata të ndryshme shit-blerjeje, si dhe ka nënshkruar edhe disa deklarate njohje detyrimi, ku shtetas të ndryshëm njohin detyrimet e marra tek ky person.
Sipas regjistrit hipoketor, rezulton se në emër të Adem Metkolës janë tre pasuri tokë “arë” në Kamëz, të blera në vitin 2016 dhe 2023, me sipërfaqe totale 1250 metra katrorë dhe vlerë totale 650 mijë lekë të reja.
Po ashtu, ai rezulton të jetë bashkëpronar me Carolyn Patricia Perry në pasuri të llojit “truall” në Currila të Durrësit, me sipërfaqe totale 2 mijë metra katrorë dhe vlerë të plotë 320 mijë euro.
Këto dy pasuri janë blerë konkretisht në Shkurt dhe Gusht 2020.
Gjithashtu, një element që ka ngritur pikëpyetje gjatë hetimit, është numri i lartë i automjeteve të shtrenjta që zotëronte familja Metkola.
Nga kontrolli pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor, rezulton se Adem Metkola, (ish) bashkëshortja e tij dhe njëra prej vajzave studente, kanë pasur në zotërim ndër vite 12 automjete.
Aktualisht, në pronësi të tyre janë 7 automjete, ndër të cilët një “Hummer H2”, një “BMË X6” dhe një “Range Rover Evoque”.
SekuestrimiPasi ka kryer këto verifikime, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshime të forta se Adem Metkola dhe njerëz pranë tij, përfshirë (ish)-bashkëshorten dhe shtetasen britanike, Carolyn Patricia Perry, janë përfshirë në një skemë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Adem Metkola ka deklaruar në prokurori se pasuritë janë kryer nga të ardhurat nga emigracioni në Angli.
Por, prokuroria dyshon në vërtetësinë e këtyre deklaratave, pasi ai është deportuar nga Britania e Madhe në vitin 2007 dhe këto kursime të pretenduara nuk i ka qarkulluar asnjëherë në sistemin bankar.
Sipas prokurorisë, “nga hetimi i kryer rezulton se ky shtetas si burim të ligjshëm të të ardhurave ka vetëm ato të përftuara nga subjekti Person Fizik “Adem Metkola”, me NUIS LxxxxxxT, ku rezulton e punësuar edhe ish bashkëshortja e tij, shtetasja Arjana Metkola (Xhika).
Nga verifikimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit rezulton se të ardhurat e përftuara nga subjekti janë në një vlerë shumë të ulët, në krahasim me pasuritë që ky shtetas apo familjarët e tij kanë në pronësi”.tha
Për këtë arsye, prokurorja Zoto iu drejtua Gjykatës së Tiranës për vënien nën sekuestro të të gjitha pasurive që dyshohet se nuk kanë burime të ligjshme.
Prokuroria është nxitur, sidomos nga fakti që resorti në Durrës, i miratuar me lejen e kryeministrit Rama, po avancon me ndërtimin.Mesjavën që lamë pas, gjykata e kryeqytetit miratoi kërkesën e Prokurorisë.
Nën sekuestro u vendosën 5 pasuritë e paluajtshme (tre pasuri “tokë arë” në Kamëz dhe dy “troje” në Currila, Durrës); llogaritë bankare në emër të Adem Metkola e Ardjana Xhika (Metkola), si edhe 7 automjete në pronësi të tyre.