Nuk do të ketë shtyrje tjetër të afatit për koncesionin e Pullave Fiskale.
Qeveria ka vendosur që ky shërbim ashtu siç ndodhi edhe me kontrollin teknik të automjeteve t’i kalojë shtetit.
Ministria e Financave si propozuese e këtij ligji thotë, se për shkak të përfundimit të afatit të kësaj kontrate koncesionare më 31 dhjetor 2024, është vlerësuar që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm prodhimi dhe shpërndarja e pullave fiskale që vendosen në disa produkte të akcizës t’i rikthehet përsëri shtetit, ashtu siç ka qenë deri përpara vitit 2012.
Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale për bizneset është 22,4 USD për 1,000 copë (vlerë e konsideruar shumë e lartë nga bizneset), ndërsa në projektligj thuhet se çmimi i ri do të caktohet me VKM.
“Çmimi për çdo pullë fiskale të prodhuar dhe të shpërndarë nga personi i autorizuar përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Të gjithë prodhuesit dhe importuesit, të cilëve, sipas ligjit, u kërkohet të aplikojnë pullën fiskale i paguajnë personit të autorizuar çmimin e pullave të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në nenin 3 pika 1 dhe 2 të projektligjit.
Aktualisht prodhimi, shpërndarja e monitorimi i pullave fiskale të akcizës kryhet nga shoqëria koncesionare “Sicpa Security Solutions Albania, sh.p.k, e cila e fitoi këtë koncesion në vitin 2011, si rezultat i një propozimi të pakërkuar. Afati i kësaj kontrate mbaroi në vitin 2023 por u shty për në fund të këtij viti.