Një agjent i infiltruar i Policisë së Shtetit, ka zbuluar episodin e rradhës të trafikimit të armëve dhe municioneve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Rasti i kapjes së 10 pistoletave dhe arrestimin e 3 personave Edoson Thaçi shofer autobuzi, Blerim Krasniqi, Benjamin Shala faturino i autobuzit dhe Muhamed Krasniqi, pason operacionin e kryer në muajin shkurt, ku policia sekuestroi 203 kallëpë tritoli C4, duke shpallur në kërkim dy kosovarët Dritëro Azemi, Flaka Avdullahi dhe duke arrestuar Rigon Maliqin, Shkëlqim Halabaku dhe Lion Pira, të tre nga Gjilani i Kosovës.
Në të dyja rastet policia ka aktivizuar një agjent policor duke krijuar besim tek trafikantët për blerjen e municioneve dhe armëve, kundrejt një shumë prej 1.500 euro secila.
Nga shitja e 10 armëve në Tiranë, kosovarët pritet të fitonin 15 mijë euro.Për çdo pistoletë të shitur, 25 euro fitonte dhe Edoson Thaçi, i cili është shoferi i autobuzit që bënte linjën Prishtinë-Tiranë.
Mes tre personave të arrestuar, njeriu që ka bashkëpunuar me policinë dhe prokurorinë është Edoson Thaçci, i cili ka pohuar se kjo nuk është hera e parë që ai sillte në Shqipëri pistoleta dhe municion.
Në total ai ka transportuar drejt Tiranës dhe dy herë të tjera, duke treguar dhe emrat e personave që kanë blerë armët. Nisur nga kjo dëshmi, pritet që në ditët në vijim të ketë një goditje tjetër në arrestimin e personave të tjerë që Edoson Thaçi, i ka sjellë armët në Tiranë.
Sipas dosjes hetimore njeriu që Krasniqët kanë blerë armët quhet Arben…, i cili në Kosovë njihet me nofkën “Kanita”. Ky individ i ka sjellë armët në Prishtinë, duke i trafikuar nga Serbia.
Më pas ato janë marë nga shoferi i autobuzit Edoson Thaçi, i cili në bashkëpunim me Muhamed Krasniqin dhe Blerim Krasniqin, i kanë sjellë me autobuz në Tiranë, me qëllim shitjen e tyre tek një person tjetër që kryen tregtinë e armëve.
Por teksa ndodheshin në një makinë të bardhë në zonën e TEG, ka ndërhyrë policia duke realizuar kapjen e tre personave dhe sekuestrimin e një çante të zezë me 10 pistoleta.
Prokurori i çështjes Drini Pali, ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 4 personat e arrestuar, Edoson Thaçi shofer autobuzi, Blerim Krasniqi, Benjamin Shala faturino i autobuzit dhe Muhamed Krasniqi.
Linja e trafikut të armëve dhe municioneve nga Kosova në Shqipëri, konsiderohet si ndër më të vjetrat.
Përmes këtij korridori trafik armësh kanë kryer shumë anëtarë të grupeve kriminale në vend, përfshirë këtu dhe ish-punonjës policie si Adrian Pikli, Bujar Gërmizi dhe Altin Morina.
Persona të tjerë si të përfshirë në trafikun e armëve nga Kosova janë Deivis Bajramaj dhe disa persona të tjerë që SPAK, i ka dhënë status bashkëpuntori.