Pas gati dy muajsh mungesë, kryeministri Edi Rama kthehet mes të tijëve duke iu bashkuar mbledhjes së deputetëve socialistë së bashku me ministrat e kabinetit të tij.
Mbledhja do të nisë nesër në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit, ndërsa fjala e kryeministrit përballë tyre si kurrë më parë në takime të ngjashme, do të jetë e hapur për mediat.
I veshur me bluzën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, kreu i qeverisë ka bërë me dije do të preznatojë ‘një Nismë e Re Kombëtare për SHQIPËRINË2030!’
Deputetëve u është kërkuar që të mos ketë mungesa, ndërsa çështja që kreu i qeverisë do të diskutojë me ta, apo edhe mesazhet që do të përcjelli mbeten ekskluzivitet i tij.
30 minuta para takimit me ta, kryeministri ka planifikuar edhe një mbledhje me kryetarët e komisioneve që drejtohen nga përfaqësues të partisë socialiste,
Çështjet e aktualitetit politik, apo ato që kanë të bëjnë me drejtësinë në kohën kur shumë eksponentë të majtë e të djathë po i drejtohen dyerve të SPAK të dyshuar për korrupsion dhe abuzime me funksionet publike, mund të jenë gjithashtu në fokus të fjalës së tij.
Për këtë Rama ka kërkuar që në Administratën shtetërore të bëhet një reformim i thellë, madje duke krijuar një ministri të Posaçme për Administratën Publike dhe Antikorrupsuonin në fillim të këtij viti, me në krye Adea Pirdenin.
Në asamblenë e Partisë Socialiste më 9 shkurt, Rama u ndal gjatë tek reformimi i administratës shtetërore dhe kthimi në eficente të punës së saj, madje duke e cilësuar ministren e re, Adea Pirdenin si kryeministre të Administratës publike.
Edhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani e ka cilësuar luftën kundër korrupsionit si një shqetësim serioz, ndërsa ka përmendur disa herë rënien e denoncimeve të ardhura nga administrata. Ndërsa një raport të Institutit për Demokraci dhe Integrim vetëm 2 javë më parë ka publikuar një raport kritik mbi mekanizmat kundër korrupsionit në sektorin publik