Autoritetet e Kosovës kanë thënë të martën se kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë në një konferencë për media se Policia e ka siguruar informacionin nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ai, bashkë me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë bërë të ditur se bastisjet janë kryer në rrethinën e Zveçanit, kah pjesa e Rudares.
Hoxha ka thënë se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1.500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.
Kreu i Policisë ka thënë se tashmë është ndaluar një person, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij.
Prej sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar në pjesën veriore.
Në shtatorit të 2023-ës, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë tre sulmues.
Kosova e konsideron shtetin e Serbisë përgjegjës për organizim dhe kryerje të sulmit, mirëpo Beogradi mohon diçka të tillë.Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Ai aktualisht besohet se është në Serbi, dhe ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL)
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar shumë herë që përgjegjësit e sulmit të përballen me drejtësi.