Është zbardhur dosja e mashtrimit të një biznesmeni, të cilit i kanë marrë rreth 100 mijë euro duke iu prezanuar si ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Viktimë e mashtrimit ka qenë biznesmeni nga Prrenjasi, Flamur Rushi.
Sipas dosjes, sipërmarrësit i mbërriti një mesazh në Viber nga një numër që pretendonte se ishte Taulant Balla, ku i kërkonte me urgjencë një shumë prej 100 mijë eurosh.
Rushi deklaroi për hetuesit se duke qenë se ka një miqësi me ministrin e Brendshëm ka vendosur t’ia japë shumën e kërkuar. Ai thotë se paratë i është kërkuar t’i dorëzojë tek një taksi pranë një spital privat në Tiranë.
Në dosjen e Prokurorisë, biznesmeni dëshmon me detaje si ra pre e mashtrimit.
“Në deklarimin dhe kallëzimin e tij shtetasi Flamur Rushi kallëzon se: “Eshtë paraqitur në polici pasi do të bëje kallëzim, pasi në datë 01.05.2024, në aplikacionin Viber, e ka kontaktuar një person me emrin *Taulant Balla, i cili fillimisht i ka dërguar mesazh dhe më pas e ka telefonuar 2 herë nëpërmjet Viber, por nuk i është përgjigjur pasi nuk dinte ta përdorte Viber. Më pas kontakti me emrin “Taulant Balla” (+355683878***), i ka dërguar mesazh duke i thënë “¡am në nje drekë”, “ma mbaron një porosi”, “do kaloj një miku andej jepja 100 mijë euro dhe rregullohemi”.
Flaumri i ka kthyer mesazh duke i thëne “Ok”, “të flasi me mua” Kontakti “Taulant Balla”, i ka kthyer duke i thënë “ok po telefonon pas pak”. Kjo bisedë ështē zhvilluar rreth orës 14:00 me anë të mesazheve.
Më pas Flamuri ka komunikuar me telefon me një shtetas i cili posedonte numrin e telefonit 0683649192 dhe i ka thënë se po e priste në Librazhd, ndërsa ai ia ka kthyer duke i thënë se vonohej se kishte punë në Elbasan, ku më pas nuk u komunikua më me këtë shtetas pasi fiku telefonin. Rreth orës 17:00 po i njëjti kontakt me emrin *Taulant Balla, i ka dërguar përsëri mesazh duke i thënë “u lidhe me të”, Flamuri iu përgjigi duke i thëne “po po e pres po vi unë në Tiranë” dhe ndërkohë ai iu përgjigi duke i thënë “faleminderit, nga e diela të bëjë telefon, hajmë ndonje drek”, thuhet në dosje.
Disa ditë pasi ka dorëzuar paratë bisnesmeni Flamur Rushi ka kuptuar se është mashtruar dhe i është drejtuar policisë për të bërë kallëzimin. Policia ndaloi fillimisht shtetasin Kristian Përndoj, shoferin e taksisë që mori paratë, por më pas e ka liruar.
“Isha taksist, erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e pa ligjshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, deklaroi Përndoji. Dyshohet se dhe Përndoj është përdorur nga Florian Gjergji, personi që fshihet pas kësaj skeme mashtruese.
Florian Gjergji këtë skemë e ka përdorur edhe në 8 raste të tjera duke përdorur aplikacionet Signal dhe Viber, emrat e zyrtarëve të lartë si Edi Rama, Erion Veliaj, Ermal Dredha e Rakip Suli si dhe disa ministrave të tjerë.