Alfred Balla, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka dalë sot para KPA-së, ku do të kalojë në shkallën e dytë të Vettingut. Komisioneri Publik i kërkoi KPA ndryshimin e vendimit të KPK për Alfred Ballën.
Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi përpara Komisionit të Posaçëm të Apelimit ndalimin për 15 vjet të zgjedhjes në të gjitha organet e drejtësisë të Alfred Ballës që aktualisht mban postin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pasi Ballhysa përfundoj relatimin e tij vetë Balla jo vetëm që e kundërshtoi kërkesën e tij, por e quajti ankimin si “antiligjor dhe të pakuptimtë nga ana ligjore”.
Në fjalën e tij Balla vuri në dyshim se ankimi mund të jetë nxitur nëpër “tavolina”
Ballës i tërhoqi vëmendjen kryesuesja e trupës gjykuese Ina Rama e cila tha se ai nuk mund të shprehte vlerësime personale.
Ndërkohë, pala mbrojtëse e Ballës avokatja Etleva Sherifi argumentoj se Balla nuk mund të jetë Subjekt Rivlerësimi.
Sipas avokates Ballës i ka mbaruar marrëdhënia e punës në 2017 dhe kësisoj nuk mund të jetë subjekt, jo me dëshirën e tij, por ai është larguar nga Gjykata e Lartë aso kohe.
Pala mbrojtëse kërkoi përfundimisht të lërë në fuqi vendimin e KPK, pra pa një vendim përfundimtar.
Rasti i Ballës është ndër më unikët në vend pasi Shkalla e Parë KPK në 2023 u shpreh pa një vendim përfundimtar për Alfred Ballën pra me një vendim që nuk do të thotë as shkarkim dhe as konfirmim në detyrë për shkak se ai rezultoi të mos kishte pasur statusin e magjistratit dhe gjithashtu ishte pushuar nga Puna e Ndihmësit Ligjor nga Gjykata e Lartë.
Aso kohe Komisioneri publik e kundërshtoi këtë vendim duke thënë se KPA duhet të shprehet me një vendim të qartë.
Komisioneri Publik konstaton se vendimi nr. 675/2023, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk gjen mbështetje në legjislacionin që normon procesin e rivlerësimit, duke arsyetuar se vazhdimi i procesit të rivlerësimit për subjektin, z. Alfred Balla, ishte parakusht i padiskutueshëm dhe në kuptim të parashikimeve kushtetuese, për shkak se subjekti i rivlerësimit ushtron detyrën në një nga organet më të larta kushtetuese, ku ndërprerja e procesit të rivlerësimit parashikohet si pengesë ligjore për emërimin e tij për një periudhë 15-vjeçare.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 675/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Alfred Balla, dhe ndalimin e emërimit të tij gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.