Edhe pse është vënë nën hetim për “Falsifikim të dokumentave” dhe “Kallëzim të rremë”, gjyqtarja e Tiranës Arnisa Këlliçi alias Gorezi, vijon të reklamohet si sukses në tryezat e drejtësisë së raskapitur Shqiptare.
Çështja penale ndaj Këlliçit vijon të jetë aktive në prokurorinë e Durrësit, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka vendosur që prej muajit Shkurt 2024 një masë pezullimi nga detyra e kësaj gjyqtare, e cila gjatë ushtrimit të detyrës, ka shfaqur sjellje të çuditshme.
Por ndjekja penale për dy vepra penale dhe pezullimi nga detyra I Këlliçit, nuk e ka penguar Shkollën e Magjistraturës, ta ulë Këlliçin në një tryezë me Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Ilir Toska.
Dy njerëzit më të lartë të Drejtësisë Shqiptare, kanë zgjedhur të trajtojnë një temë diskutimi me studentët e magjistraturës, ku lehtësuese e këtij trajnimi që do mbahet në 18 qershor 2024, është gjyqtarja e pezulluar e Tiranës, Arnisa Këlliçi.
Dy anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese së bashku me të pezulluarën nga detyra, Arnisa Këllici, do mbajnë një ligjëratë me temën për “…konceptin mbi anulimin dhe shfuqizimin e aktit-mjete të kontrollit ex officio të organit publik mbi veprimtarinë administrative dhe dallimi nga ankimi administrative si mjet efektiv i subjektit ndaj veprimit…”.
Për të gjithë ata që e kanë haruar gjyqtarja Arnisa Këlliçi, është ajo që përgjonte kolegët e saj në gjykatën e Tiranës, thurte intriga me SPAK e arrestime kundër tyre dhe komunikonte përmes mesazheve seksuale me kolegë dhe ish-kolegë të Tiranës.
Këlliçi, është gjyqtarja që falsifikoi letrën kërcënuese ndaj saj, mashtroi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrin e Drejtësisë, duke u përpjekur të verë në lojë dhe prokurorinë e Tiranës, të cilën e vuri në lëvizje pas një kallëzimi penal që depozitoi për akuzën e “Kanosjes për shkak të detyrës”.
Hetimet e realizuara nga prokuroria e Tiranës zbuluan se Këlliçi kishte shkruar vetë letrën kërcënuese. Për më tepër hetimet e akuzës përparuan duke zbuluar se gjyqtarja Këlliçi kishte komunikime seksiste me ish-gjyqtarin Arben Mickaj dhe bashkëshorten e këtij të fundit.
Aktualisht kjo çështje hetimore është transferuar në prokurorinë e Durrësit, pasi prokuroria e Tiranës shpalli moskopetencën, pasi njëri nga personat e kallëzuar nga gjyqtarja Këlliçi, ishte dhe prokurori Adriano Dyrmishi.
Tashmë rasti po ndiqet në prokurorinë e Durrësit, ndërsa Arnisa Këlliçi, vijon të aktivizohet në sistemin më të lartë të Drejtësisë Shqiptare, siç është Shkolla e Magjistraturës dhe përkrah Sokol Sadushit dhe Ilir Toskës.