Kur themi që kjo është një ngjarje shumë e rëndë, ndodh një tjetër që të kuptojmë se e keqja nuk ka fund. Por kjo e Shkodrës duket të jetë vërtet fundi i fundit.
Një nënë që vetëvritet duke marrë me vete edhe tre fëmijët e saj… Nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj makabritetin dhe nuk gjej dot forcë të akuzoj nënën, që në vendimin fatal për ti ikur jetës së saj, mori me vete edhe fëmijët e mitur.
Padyshim që e kemi shumë të lehtë të akuzojmë burrin e dhunshëm(nëse do të mbetet deri në fund dhuna në familje hipoteza e motivit të vetëvrasjes kolektive).
-Familjarët e vajzës dhe e burrit (që duhet të kenë qenë në dijeni për jetën e dhunshme në atë familje, por heshtin sepse “kjo është punë e tyrja dhe neve s’na takon të ndërhyjmë”).
Psikologë e sociolgë që paguhen në shkolla dhe njësitë e pushtetit vendor, të cilët e kanë për detyrë të monitorojnë familjet, gratë dhe fëmijët që padyshim reflektojnë pasojat e një jete mes dhunës. Këto funksione nuk janë për ti gjetur punë atyre që kontribojnë në zgjedhje, për për të qenë realisht dedektorë të plagëve sociale që prodhojnë pasoja të tilla tragjike.
-Punonjës të policisë, të cilët nuk duhet të konsiderojnë detyrë vetëm kur i marrin në telefon për ndonjë vrasje apo grabitje, por së pari për të punuar për parandalimin edhe të të tilla ngjarjeve makarbre.
Pas kësaj ngjarjeje do të zjejnë edhe programet televizive. Do të dalin nëpër studio “ekspertë” që do të tregojnë me detaje se si u hodhën gruaja dhe fëmijët nga ura, si u gjet fëmija nga peshkatari, në ç’pozicion ishte fëmija i pajetë etj etj.
Do të dalin OJQ-ste për të drejtat e grave dhe fëmijëve, që do të thonë se duhen më shumë fonde për të sensibilizuar shoqërinë kundër dhunës.
Gazetarët do të intervistojnë xhajat, dajat, hallat, fqinjët, kushurinjtë në Greqi dhe Angli dhe pas tre ditësh dalldia do të shuhet. Studiot do të kthehen sërish tek lloqet e politikës, dhe ne do të mblidhemi sërish në mortin e radhës.