Biznesmeni dhe njëherësh ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gani Hoxha, i është drejtuar me ankim Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kërkuar heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, të vendosur nga gjyqtari i Sarandës, Fatmir Ndreu.
Ankim kundër vendimit të Ndreut, kanë depozituar dhe tre personat e tjerë të proceduar dy ish-zyrtarët e ASHK-së, Ermen Stroka dhe Erald Gjika, të cilët kërkojnë heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” dhe ish-drejtoresha e ASHK-së Sarandë, Aida Demi, e cila është vendosur në masën e “detyrimit të paraqitje”, pas dyshimeve për “Shpërdorim detyre”.
Sipas argumentave ligjore të paraqitura në ankim nga Gani Hoxha, gjykata e Sarandës, ka gabuar në vendosjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke mos u bazuar në asnjë provë konkrete që krijonte bindjen në falsifikimin e dokumentave.
Kjo per aryse se vepër penale për të cilën Gani Hoxha akuzohet, sikurse dhe punonjësit e tjerë të Kadastrës, rezultuan të ishin inekzistente.
“…çështja e ngritur, me shumë eufori dhe emocion, nga organi i akuzës, rezulton me natyrë të pastër civile dhe administrative, por kurrësesi penale. Dy prokuroret, Silvana Belishta dhe Valbona Maja, nuk ishin në gjëndje të provonin as dyshimin më minimal të veprës së pretenduar si të kryer, atë të falsifikimit të dokumentave…”-thuhet në ankim.
Pretendimi kryesor i akuzës se dy vajzave trashëgimtareve të të ndjerit Alush Sejko, u është shkaktuar një dëm i madh nga legalizmi i objektit në të drejtat e tyre pronësore, po ashtu rezultoi të ishte tërrësisht i pavërtetë.
“…kjo pasi nga shkresat kthim përgjigje të ardhura nga Kadastra e Sarandës, mbi gjëndjen juridike të pronës truall mbi të cilën ndodhet ndërtimi, doli që të ishte në pronësi shtet…”.
Pra, trualli nuk është në pronësi të trashëgimtarëve të Alush Sejko siç në mënyrë të pavërtetë dhe në mënyrë të rremë dy vajzat kanë deklaruar në kallëzim.
Madje në provat e dorëzuara në prokurori nga ish-deputeti Gani Hoxha, në momentin e legalizimit të objektit është paguar në favor të shtetit, çmimi prej 50 milion lekë të vjetra për blerjen e këtij trualli, duke qënë shteti pronar i kësaj pasurie të llojit truall dhe jo trashëgimtarët e Alush Sejkos.
Të mdodhura përpara një konfuzioni të tillë juridik, dy prokuroret u përpoqën që falsifikimin e dokumenteve ta justifikonin tanimë me faktin që, “…Gani Hoxha, vërtet e ka ndërtuar godinën me investimet e veta personale dhe legalizuar, por, ai nuk duhej ta legalizonte këtë godinë pasi nuk kishte posedimin e sendit. Posedim, që sipas akuzës, e kishin trashegimtarët e Alush Sejko…”.
Mirëpo edhe ky pretendim, përpos faktit se është me natyrë administrative dhe jo penale, rezultoi krejtësisht i pa bazuar në dritën e provave dhe analizës së tyre para gjykatës.
Gjatë gjykimit në shkallën e parë, rezultoi se akuza në dosjen e saj kishte bërë pjesë një akt-marrëveshje investimi, lidhur asokohe në 2003 mes Alush Sejko dhe “Super beton Mati”, kompani kjo e Gani Hoxhës.
Kjo kontratë është ende dhe sot në fuqi ligjore dhe e pa zgjidhur nga dy palët. Pra, hyrja në posedim e kompanisë mbi këtë truall ka ardhur në mënyrë të ligshme, me kontratë. Dhe të drejtat posedimore mbi këtë truall, për sa kohë kontrata është në fuqi, i takojnë, Gani Hoxha.
Është vërtetuar që trashëgimtarët e të Alush Sejko, nuk kanë në pronësi as truallin dhe as ndërtimin.