Shpërdorim dhe abuzim i madh i fondeve për ngrohjen e fëmijëve i mbuluar me avull kaldajash nga Bashkia Tiranë. Super tenderi prej 241 milionë lekësh është shfryrë dhe bashkia është detyruar ta anulojë procedurën pas denoncimit të bërë nga biznesi në Komisionit e Prokurimit Publik.
Përqendrimi i mirëmbajtjes së kaldajave të shkollave, kopshteve dhe çerdheve të qytetit dhe të fshatrave është metoda e zgjedhur për të zmadhuar sa më shumë fondin limit.
Dhe ndërsa nxënësit e shumë shkollave në kryeqytet ankohen se nuk funksionon ngrohja, zhvillohet ky tender që është një abuzim i hapur. Si mund t’i lihet mirëmbajtja e 150 kaldajave në dorë të tri kompanive?
Rezultati është xhirimi e fondeve në llogaritë e kompanive të paracaktuara dhe më pas nuk kontrollohet asgjë mbi punën e tyre. Kjo është vërtetuar nga mosfunksionimi i ngrohjes në shumë shkolla gjatë dimrit në kryeqytet.
Më datë 29 mars 2023, drejtori i Lali Erit për Objektet Publike, Rozafat Sopaj, ka organizuar tenderin me objekt ‘Shërbim mirëmbajtje për impiantet e ngrohjes në objektet arsimore dhe publike’. Për këtë projekt parashikohet të shpenzohen 241 milionë lekë.
Denoncimi
Tashmë që shumë drejtorë të bashkisë Tiranë janë nën hetim nga SPAK-u, janë shtuar denoncimet e biznesit për tenderat. Ankesa është bërë në KPP. Nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike pranë Komisionit të Prokurimit Publik si edhe pranë bashkisë Tiranë është depozituar ankesa më datë 24.04.2024 e bashkimit të operatorëve ekonomikë “ONI” SHPK & “CARA” SHPK.
Nga shqyrtimi paraprak i ankesës, u konstatua se objekti i saj lidhet me kundërshtimin e vendimit mbi skualifikimin e ofertës së paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “ONI” SHPK & “CARA” SHPK, si dhe me vendimmarrjen mbi lënien të kualifikuar të ofertave të paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës “CLIMACASA” SHPK, “SULOLLARI-KLIMA” SHPK dhe “KEVIN CONSTRUKSION” SHPK.
Konkretisht ankimuesi pretendon se oferta e tyre nuk është vlerësuar sipas ligjit dhe është skualifikuar pa të drejtë, duke ngritur dyshimet që përcaktimi i fituesit ishte bërë më herët.
Sipas tyre, Bashkia kishte për detyrë që t’i njoftonte, nëse mungonte ndonjë dokumentacion për të cilin operatorët mund kishin hasur paqartësi për shkak të interpretimit të kritereve.
Këtë gjë në fakt e dikton ligji, por Veliaj dhe stafi i tij rëndomë nuk e zbatojnë ligjin.
Anulimi i tenderit
Papritur, megjithëse nga bashkia është kualifikuar bashkimi i operatorëve pjesëmarrës “CLIMACASA” SHPK, “SULOLLARI-KLIMA” SHPK dhe “KEVIN CONSTRUKSION” SHPK, është vendosur anulimi. Kështu në njoftimin e bërë 1 muaj pas shpalljes së tenderit, nga Drejtoria e Objekteve Publike deklarohet se asnjë nga pjesëmarrësit nuk përmbush kriteret.
Të ndodhur para denoncimit të bërë në KPP, organizatorët e tenderit kanë bërë një hap pas, për të shmangur një vendimmarrje të pafavorshme nga KPP. Shkeljet tregojnë qartazi tendencën për të manipuluar kriteret e tenderit dhe shpërdorimin e fondit të caktuar. Drejtori i Lali Erit, sipas ankesës kishte kualifikuar operatorin me “ofertën ekonomike që nuk ishte paraqitur si shumatore e çmimeve për njësi. Po ashtu nuk është dorëzuar lista e çmimeve të shërbimeve, për asnjë nga zërat e kërkuara në dokumentet standarte të tenderit”.
Në fakt, tenderi parashikon që të bëhen minikontrata të tjera, ndërkohë që nuk ka asnjë material që të justifikojë shpenzimet që supozohet të mbulojë ky fond limit. Në një grafik paraqiten vetëm orët e punës për mirëmbajtjen e secilës kaldajë.
“Fact checking” nxjerr zbuluar kryetarin
Sakaq, vlen të përmendim këtu se në fund të vitit që lamë pas, kur temperaturat ishin mjaftë të ulëta, është bërë publik në media një denoncim i prindërve për në shkollën “4 Dëshmorët” në Tiranë. Në këtë shkollë, jo vetëm që mungojnë kushtet, por bëhen takime me prindërit për të mbledhur lekët për blerjen e kondicionerëve.
Kjo nuk është hera e parë që denoncime të tilla vijnë për shkollat publike në Tiranë pasi mungesa e kushteve dhe infrastruktura vijon të jetë një problem i njohur dhe i pazgjidhur, ndërsa Veliaj vazhdon me përurimet dhje gënjeshtrat.
Në këtë shkollë, më 16 janar 2017, Lali Eri është shprehur se kemi 200 kaldaja dhe vetëm dy shkolla pa ngrohje. Ndërsa drejtori i tij, ka deklaruar një shifër më të vogël në 2022: në Bashkinë e Tiranës ka 172 institucione arsimore ku funksionojnë me ngrohje me kaldaja. Erindi Bejko tha: “Janë 172 kaldaja në Tiranë, gjysma janë me lëndë djegëse nafte dhe gjysma me lëndë djegëse pelet. Kemi edhe 20 objekte soba që janë me dru”.
Nga ana tjetër, në këtë tender listohen 150 kaldaja. Në vend që të rritet, ulet numri i tyre, edhe pas rikonstruksioneve.
Para se të largohej nga posti si Ministre e Arsimit, Evis Kushi më 8 shkurt 2023, pranoi se në kulmin e dimrit nxënësit e 100 shkollave lihen pa ngrohje. Ministrja deklaroi se edhe në 51 shkolla të tjera të vendit ku ngrohja bëhet përmes sistemit elektrik, ngarkesa e rrjetit nuk e mundëson mësimin normal.
Po ashtu Kushi thotë se në 21 shkolla të tjera bashkitë nuk kanë riparuar defektet e kaldajave dhe as i kane furnizuar me lëndë djegëse në rastet kur punojnë, duke përfshirë këtu edhe disa shkolla në Tiranë.
Asaj kohe Kushi fajësoi kryebashkiakët që nuk kanë marrë masa. Ndërkohë, deri në fund të vitit 2023 nuk u bë asgjë në këtë drejtim, të paktën në shkollat e Tiranës.