Teksa, Gjykata e Lartë ka planifikuar në 4 qershor zhvillimin e seancës së parë, për shqyrtimin e rekursit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kundër të pandehurit Dritan Dajti, avokatët e këtij të fundit mësohet se kanë paraqitur në sekretarinë gjyqësore për tu njohur me dosjen hetimore.
Kërkesa e avokatëve vjen menjëherë pasi Gjykata e Lartë lançoi publikisht datën 4 qershor, për zhvillimin e seancës.
Ndërsa mësohet se i dënuari me 25 vite burgim ka ndryshuar mbrojtësit e tij, e për pasojë këta të fundit për të njohur me dosjen, kanë depozituar një kërkesë në sekretari me qëllim marjen e akteve hetimore.
Me sa duket kjo është një taktikë për të shtyrë seancës gjyqësore të datës 4 qershor 2024 dhe përfituar kohë të mjaftueshme, deri në një moment kur i dënuari Dritan Dajti të plotësojë dënimin me 25 vite burgim të dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dhe më pas të fitojë lirinë.
Sipas llogaritjeve të kryera nga Juristët e Drejtorisë së Burgjeve, i dënuari për vrasjen e 4 policëve, Dritan Dajti, ka shumë gjasa të dalë nga ambjentet e burgut të sigurisë së Lartë në Peqin, në ditët e muajit Gusht 2025.
Ndaj shtyrja e gjyqit, për një periudhë dy apo tre mujore, mund të ngadalësojë Gjykatën e Lartë për të marë një vendim përfundimtar ndaj Dajtit, para se ai të dalë nga burgu.
Pas 4 viteve qëndrim në pritje,Relatori Sandër Simoni dhe dy anëtarët Medi Bici, Ilir Panda, vendosën të marrin në shqyrtim çështjen penale të rekursuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në 4 Prill 2019, ku i pandehur është Dritan Dajti.
Akuza në këtë seancë nuk do përfaqësohet nga prokuroria e posaçme SPAK dhe as nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila tashmë është konvertuar në SPAK, por nga Prokuroria e Përgjithshme.
Do jetë një prokuror i kësaj prokurorie që do mbrojë rekursin e Krimeve të Rënda, të cilat kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të 4 punonjësve të policisë së shtetit, mbajtjes pa lejë të armëve dhe Përdorim i simboleve të Policisë së Shtetit.
Për këto akuza në vitin 2019, dy gjyqtarë të Vlorës, Skënder Damini dhe Petrit Alia, të deleguar nga KLGJ tek Apeli i Krimeve të Rënda për gjykimin e kësaj çështje vendosën të prishin vendimin e shkallës së parë që dënonte Dajtin me burgim të përjetshëm duke e dënuar atë me 25 vite burgim.
Për këtë vendimmarrje gjyqtarët u ndanë 2 me 1, ku gjyqtari i Shkodrës, Fuad Vjerdha vendosi të dalë me mendim kundër duke i qëndruar argumentimit se Dajti duhet të dënohej me burgim të përjetshëm.
Pas këtij vendimi që dënoi Dajtin me 25 vite burgim, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e shtetit kryen 4 kontrolle banesash në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër, ku në fokus ishin shtëpitë e gjyqtarëve dhe njerëzve të afërm të Dajtit.
Një hetim u nis për akuzën e Korrupsionit por kaloi koha dhe hetimi u zbeh gjatë rrugës.
Tashmë është kolegji i Gjykatës së Lartë që do vihet në provën e madhe për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Dritan Dajtit, që për vite me radhë stopoi drejtësinë, duke zëvendësuar dhjetëra gjyqtarë dhe dhjetëra avokatë mbrojtës.