Mashtrimi përmes mikrokredive nga subjektet “Micro Credit Albania”, “Final” dhe fondi “Besa” duke tjetërsuar përmes hipotekës pasuritë e mijërave qytetarëve të ndryshëm, po mer përmasat e një skandali të madh në vend.
Çështja ka hyrë në vorbullën e një skandali kombëtar ku përfshihen disa institucione të rëndësishme të vendit si Agjensia Kombëtare e Kadastrës, dhoma kombëtare e Përmbarimit, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë.
Rasti po monitorohet nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, vetë kryeministri Edi Rama, kreu i prokurorisë së posaçme SPAK Altin Dumani dhe prokuroria e Tiranës që drejtohet nga Arenc Çela, të cilët kanë nisur hetime respective me qëllim zbulimin e personave përgjegjës, njëherësh dhe ndalimin e këtij abuzimi që po sakaton familje të tëra.
Në skemën e abuzimit duket se janë dhe elemente të posaçëm pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, pasi në shumicën e rasteve operatorët e këtij institucioni kanë vepruar duke bashkëpunuar ngushtësisht me subjektet si “MCA” dhe “Final”, duke u hequr të drejtat e pasurisë qytetarëve të ndryshëm që kishin marë një mikro kredi që varionte nga 500 deri në 1 milion lekë të vjetra.
Shqetësimi për këtë skemë të mirëfilltë abuzimi shfaqet nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja,i cili përmes këtij dokumenti të siguruar ekskluzivisht nga “Ora Neës” kërkon informacion nga kryetarja e kadastrës Dallëndyshe Bici, mbi veprimet që kanë kryer pranë zyrave të kadastrës 8 përmbarues privatë dhe vetë subjektet kredidhënëse “MCA” dhe “Final”.
Për pjesën më të madhe të punonjësve të hipotekës ky dokument vijon të mbahet i fshehur me qëllim mos sjelljen e efekteve ndaluese apo pezulluese të veprimeve tjetërsuese të pronës nga 8 përmbaruesit privatë që veprojnë për llogari të dy subjketeve të kredimbledhëse.
Reagimi i ministrit Manja përmes kësaj shkrese vjen edhe për faktin se një lumë me ankesa nga qytetarët kanë shkuar në ministrinë e Drejtësisë, pasi shumë prona janë tjetërsuar nga individët tek MCA dhe Final, pa bërë një njoftim zyrtar siç e parashikon ligji procedurial.
Aq keq ka shkuar puna sa dhe vetë punonjës të hipotekës kanë shfaqur ankesa në Ministri, duke treguar një skemë të llahtarshme të grabitjes së pronave.
Në dokumentin ekskluziv që mban datën 9 Prill 2024 jepet një tablo e qartë e shqetësimit rreth grabitjeve të shtëpive dhe pronave të qytetarëve, ndaj përmes zv/ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja ka kërkuar urgjent informacion të detajuar për veprimet që janë kryer në hipotekë nga 8 përmbarues privatë dhe dy subjektet tregtare e mësipërme.
Më konkretisht në document thuhet se:
“…pranë Ministrisë së Drejtësisë është administruar një numër i lartë ankesash nga qytetarët, së fundi edhe një denoncim nga disa punonjës të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë, që lidhen me një fenomen të bërë edhe publik, kryerjen e procedurave përmbarimore fiktive deri në kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme në emër të institucioneve financiare jobanka, konkretisht “Micro Credit Albania”. Ministria e Drejtësisë po ndjek me përparësi këtë problematikë që lidhet me cënimin e të drejtave të qytetarëve, nga proceset e ekzekutimit të detyruar dhe në veçanti për respektimin e të drejtës së pronës, si e drejtë themelore kushtetuese…”-thuhet në dokumentin e firmosur nga Klajd Karameta.
Më poshtë në këtë dokument thuhet se nisur nga kjo situatë të bërë tashmë publike dhe duke ju përgjigjur shqetësimit të qytetarëve, ministria kërkon të informohet menjëherë nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës që ka në varësi 22 zyrat vendore të kadastrës.
Ministria kërkon numrin e pasurive të paluajtshme shoqëruar me kopje të kartelave përkatëse, të regjistruara në emër të shoqërisë “Micro Credit Albania” ose “MCA” dhe shoqërisë “Final”, kur pronësia është fituar me vendim të kalimit të pronësisë nga përmbaruesi.
Të gjitha pasuritë e rregjistruara në hipotekë nga këto dy kompani mashtruese me skemën e mikrokredive do auditohen në ministrinë e Drejtësisë. Për këtë është në dijeni kryeministri Edi Rama dhe instituciokne të tjera.
Veç kësaj ministri Manja kërkon të dhëna konkrete të aplikuesit (mandati i aplikimit) për regjistrimin e vendimit të kalimit të pronësisë për të gjitha rastet kur përfitues i pasurive ka qënë shoqëria “Micro Credit Albania” ose “MCA” dhe shoqëria “Final”.
Kjo pasi shumë pasuri janë marë e tjetërsuar në hipotekë pa urdhër përmbaruesi, por vetëm me një aplikim të thjeshtë të bërë nga juristët e subjekteve të mësipërme.
Një skemë e frikshme kjo që i ka dhënë dorë të lirë Arben Meskutit dhe çiftit Olsi-Elda Ibro.
Ulsi Manja ka kërkuar nga hipoteka të skanojë dhe ti verë në dispozicion të gjithë praktikat që janë kryer nga 8 përmbarues privatë, të cilët janë kthyer në bandën më të egër të gjurmimit dhe tjetërsimit të pasurisë së qytetarëve.
“…numrin e aplikimeve për kryerjen e veprimeve “Urdhër për vendosjen e sekuestros konservative” dhe/ose “Urdhër për heqjen e sekuestros konservative” në interes të kreditorit Micro Credit Albania/MCA dhe/ose Final, që mbajnë emrin dhe vulën e përmbaruesit gjyqësor privat: Lefter Canaj, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Saimir Dogjani, Astrit Kaptelli, Rrok Deda dhe Altin Vako.) Të dhëna konkrete të aplikuesit (mandati i aplikimit) për regjistrimin e urdhrave të aplikuar nga përmbaruesit e sipërcituar. Të dhënat konkrete që lidhen me dokumentet postare të paraqitur nga këta përmbarues gjyqësorë privatë që lidhen me komunikimin postar me zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës…”-thuhet në dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë.
Letra e ministrisë së Drejtësisë mbyllet me kërkesën që zyrtarët e kadastrës të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur, për shkak të vetë rëndësisë së informacioknit të kërkuar dhe shqetësimit të madh që kanë mijëra qytetarë.
Shetësuese është fakti se edhe pse ministry Manja ka vënë në alarm Agjensinë Kombëtarë të Kadastrës për këtë skemë grabitje, sërisht 8 përmbaruesit privatë vijojnë të punojnë dhe çojnë urdhëra për bllokimin e pasurive të qytetarëve dhe kalimin e tyre në emër të subjekteve private “ Micro Credit Albania” ose MCA dhe “Final”.
Pjesë e kësaj skeme janë dhe zyrtarë të kadastrës. Për abuzimin me tjetërsimin e pronave nga subjektet e mësipërme, javën që vjen struktura e Posaçme SPAK, pritet të regjistrojë një dosje penale që me sa duket në të ardhmen do zbulojë skemat piramidale të kredive mashtruese dhe tjetërsimit të pronave të qytetarëve shqiptarë.
Kjo dosje është përcjellë nga prokuroria e Tiranës në SPAK në datën 17 prill 2024, ndërsa burimet pranë këtij institucioni thanë se çështja ende nuk është hedhur në short, për përcaktimin e oficerëve dhe prokurorit që do ndjekë rastin.
Rasti fillimisht është ndjekur nga prokurori i Tiranës, Leonard Filopati, i cili pas disa muaj hetime konstatoi se çështja e mashtrimit dhe tjetërsimit të pronave përmes kredive, përmban elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë jo vetëm drejtues të shoqërisë “Micro Credit Albania”, “Final” dhe fondi “Besa”, por dhe një zinxhir përmbaruesish privatë.
Fijet e këtij grupi sipas prokurorisë së Tiranës shtrihen deri tek zyrtarët e Bankës së Shqipërisë, të cilët duke “Shpërdoruar detyrën” kanë sjellë masa të parikuperueshme për jetën dhe pronat e mijëra personave.
Tashmë SPAK, ndodhet përballë një hetimi të konkretizuar nga prokurori i Tiranës, Leonard Filopati dhe se çështja kërkon hetime shtesë dhe më të thelluara nga prokurorët e posaçme, të cilët javën e ardhshme pritet të regjistrojnë dosjen për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Mospagim taksash”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.