Ditën e enjte, gazetari Ylli Rakipi deklaroi në emisionin e tij se para disa vitesh kishte gjetur kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj duke darkuar në një restorant së bashku me gazetarin Çim Peka dhe me Shkëlzen Berishën, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Çim Peka dhe Shkëlzen Berisha reaguan pas deklaratës ku e mohuan darkën me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke e konsideruar deklaratën si një trillim që bëhet për interesa të caktuara. Së fundmi, ka ardhur një reagim edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj, lidhur me deklaratën në fjalë.
Në një intervistë për Top News, Erion Veliaj e mohoi darkën me Çim Pekën dhe Shkëlzen Berishën, duke deklaruar se hera e fundit që ka takuar djalin e ish-kryeministrit Berisha ka qenë në kohën kur kanë kryer gjimnazin.
“Kjo është e pa vërtetë! E kam takuar në gjimnaz, ai ishte një vit mbi mua dhe e përjetonim situatën politike, sidomos ’97- ’98. Atëherë kam kuptuar se kush di të qeverisë keq dhe kush di mirë. Edhe në shkollë nuk përziheshim as në oborr, sepse që atëherë ishte damkosur familja që i sillte të keqen Shqipërisë. Për të qenë korrekt, sepse s’kam asgjë personale. Kjo është hera e fundit, te oborri Sami Frashërit dhe s’kam pse ta takoj dhe s’kam interesa, kurrë mos u takofsha. Parimi është kush mbjell erë do korr stuhi. Ata po korrin atë që kanë mbjellë” – tha Veliaj.