Lajmi që SPAK ka marrë në hetim Guvernatorin Gent Sejko dhe zyrtarët e Bankës së Shqipërisë pasi Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për skandalin e mikrokredive, u anonçua nga gazetarja Anila Hoxha, por vetëm kaq. Të gjithë mbetën të hutuar nga ky lajm i bujshëm: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në SPAK!
Prokuroria e Tiranës, që ka disa vjet që heton për “masakrën” e mikrokredive, është treguar shumë diskrete për të mos hapur panik, duke e “përcjellë” Guvernatorin me gjithë bëmat e tij, për ta gozhduar SPAK.
Hetimet kanë zbuluar të dhëna që mbahen sekret. Punonjësit e Bankës së Shqipërisë kanë zbërthyer skemën e mashtrimit me mikrokredi që është komanduar nga Guvernatori dhe gruaja e tij.
Një dokument që ka vulosur përgjegjësisë dhe ortakërisë e Guvernatorit me skemën e mashtrimit, është një shkresë që Gent Sejko i zënë në “çark” nga hetuesit e ka çuar me duart e veta në SPAK.
Shkresën e ka firmosur besnikja e gruas së tij, Natasha Ahmetaj, ndërsa të dhënat që jep ky dokument ngjallin fantazmat e vitit të mbrapshtë 1997.
Viti tragjik 1997 erdhi si pasojë e falimentimit të rreth 25 firmave piramidale, që grumbulluan rreth 1.2 miliardë $ nga shqiptarët duke i mashtruar me ëndrrën e fitimit të shpejtë.
Më kryesoret që bënë kërdinë ishin disa prej tyre si, Sudja, Gjallica, Vefa, Silva, Cenaj, Kamberi…Sudja mashtroi 12 900 shqiptarë kur u mbyll.
Gjallica 81 000 e kështu me radhë. Dhjeta firmat kryesore krijuan një ushtri me 205, 404 kreditorë, siç u quajtën më pas shqiptarët e mashtruar.
Ditët e sotme, të mashtruarit janë debitorë të kompanive të mikrokredive që ka licensuar Guvernatori Gent Sejko me ardhjen e tij në post, që edhe këta janë të mashtruar, por më keq se ata të viti `97.
Nëse në skemën e firmave piramidale, njerëzit futeshin me dëshirë të joshur nga fitimi i shpejtë “fut 1 lek merr 3”, në skemën e mikrokredive shqiptarët janë futur me dhunë në marrëdhënien e mikrokredive.
Guvernatori Sejko i dërgon SPAK një të dhënë tronditëse.
“Final” ka blerë nga bankat plot 25 997 kredi ndërsa “MCA” ka blerë 28 920 kredi.
Arben Meskuti dhe Olsi Ibro të akuzuar me dhjetra herë nga media pranohet nga vetë Guvernatori Sejko që janë lejuar nga Banka e Shqipërisë të përpunojnë 54 917 kredi të shitura nga disa banka, që nga një verifikim paraprak i prokurorisë kanë përfshirë jo më pak se 250 000 njerëz, kryesisht familje me nivel kritik varfërie.
Shifra e qarkulluar nga skema “MCA” për të gjitha kreditë mund të kalojë vlerën 500 milion Euro.
Ndërsa vlera e pronave të paluajtshme të grabitura nëpërmjet skemës së fillluar që në vitin 2015 mund të kalojë 500 milion Euro të tjera.
A na ka sjellë Guvernatori Sejko një `97 të dytë, duke lejuar këtë skemë megamashtrimi me shifra që janë të njëjta me ato të firmave piramidale?
Kjo nuk është një pyetje për panik. Vetë Banka e Shqipërisë pranon se e ka mbajtur në “kontrollin” e saj MCA dhe Final që të mos ndodhte çfarë?
Çfarë frike kishte Guvernatori t’i mbyllte dhe ti denonconte MCA bashkë me Final?
“Banka e Shqipërisë, nuk ka proceduar deri më tani me marrjen e masës së revokimit të licencës, duke marrë në konsideratë disa faktorë. Duke revokuar licencën, MCA nuk do të ishte më subjekt i mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë dhe kështu do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes, që do të passillte që subjekti të mos raportonte më në Regjistrin e Kredive, të mos vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë dhe kështu do të mund të krijoheshin situata ndoshta edhe më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve”.
Kush do ishin situatat e rënda që do krijoheshin nëse Final dhe MCA do mbylleshin menjëherë?
Për çfarë aludon Guvernatori kur lajmëron për këtë Ministrinë e Drejtësisë dhe SPAK?
Hetimi
E vërteta është krejt tjetër. Guvernatori Gent Sejko dhe zonja e tij Elona Sejko kanë drejtuar prej tetë vitesh një megaoperacion mashtrimi, duke përdorur dy firma mikrokredie të krijuara për këtë qëllim, Micro Credit Albania (Olsi/Elda Ibro) dhe Final (Arben Meskuti).
Për tetë vite të dyja firmat kanë “blerë” 55 000 mijë kredi nga Procredit Bank, Societe General Bank (sot OTP), Raiffeisen Bank, Tirana Bank, NOA, Fed Invest.
Shitjet e mijëra kredive nga dy bankat “Societe General Bank” dhe “Tirana Bank” për tek MCA, sipas punonjësve të BSH, i ka komanduar direkt zonja e Guvernatorit Sejko, duke manipuluar çmimet e tyre pasi drejtonte vetë në këto banka.
Me mijëra individë që kanë marrë kredi në këto dy banka gjatë 2005-2008 e kanë pësuar duke u mashtruar shumë vite më vonë nga MCA, sepse kreditë e tyre u shitën në vitet 2016 dhe 2018 nga Elona Sejko, ndërsa u blenë nga Elda Ibro që pronare e MCA.
MCA dhe Final janë lejuar nga BSH të mashtrojnë me kreditë e blera në fillim 30 mijë njerëz, më pas 100 mijë, deri sa shifra e të prekurve llogaritet që gjatë vitit 2023 të ketë arritur në 250 000.
Me qindra pasuri të paluajtshme të debitorëve të MCA, që më parë ishin klientë bankash, janë grabitur me procedura fiktive të paregjistruara në asnjë libër të kësaj kompanie mikrofinance, as të Bankës së Shqipërisë.
Për grabitjen e pronave, Olsi Ibro (MCA), krijoi kompaninë Re/PLUS me Nipt L71309019P që më pas e quajti me ironi Re Born (Rilindje).
Punonjës të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në një kontroll të kryer tek MCA kanë gjetur me dhjetra veprime që lidhnin MCA me Re born, por u urdhëruan të mbyllnin gojën.
Nga të dhëna të pakonfirmuara të hetimit, dyshohet se për të nxjerrë sasi të parave që vinin nga aktiviteti i MCA, Final dhe Re born të lidhura me disa shoqëri përmbarimi (Zig, Flash, Fs, ADCA) që u falimentuan pas vitit 2018 për të humbur gjurmët dhe pastruar paratë e vjedhura, Olsi Ibro përdori një metodë origjinale, duke u bërë ortak në një firmë transporti.
“LU-NA” me Nipt K31412087P, kishte ortak me 7,14 % Olsi Ibron deri në dhjetor 2023.
Për shumë vite ortakëria në një kompani autobuzash pa interes fitimi për një multimilioner bankash, dyshohet se bëhej vetëm për të “transportuar” valixhet me euro nëpërmjet autobuzave të linjave ndërkombëtarë me vende fqinje ose të BE.
Megamashtrimi filloi të binte erë kur Ibro dhe Meskuti menduan të braktisin Shqipërinë në fillimin e vitit 2023.
Ata krijuan një skemë brenda skemës së megamashtrimit duke regjistruar me procedura fiktive përmbarimi me dhjetra prona në emër të MCA.
Disa viktima të skemës filluan të denonconin, me dhjetra të tjerë kanë kuptuar se diçka nuk shkon me pronat e tyre nëpër hipoteka, por gjithësesi të pasigurtë nëse pronat u janë grabitur, apo jo. Hetuesit dyshojnë për një zinxhir të gjatë mashtrimi që fillon në kadastër dhe mbaron me fije jashtë Shqipërisë.
Një raport për abuzimet me pronat dhe pasuritë e mijëra viktimave mbahet sekret në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë.
Abuzimi mund të kalojë shifrën 100 milionë Euro. Aty janë përfshirë përmbarues, noterë, avokatë, deri tek personazhe të sistemit të drejtësisë.
Nën zë thuhet se po të dalë raporti me të dhënat, mund të shpërthejë një revoltë antiqeveritare.
Ulsi Manja gjendet në udhëkryqin e heshtjes ose të denoncimit publik të Guvernatorit që mban në kurriz një megaskandal të përmasave piramidale.
Hezitimi i Guvernatorit Sejko për të “revokuar” licencat e MCA dhe Final merr një shpjegim të qartë, pas kaq shumë viteve heshtjeje derisa grabitja e mijëra shqiptarëve me mikrokreditë MCA/Final mori dhenë.
Guvernatori Sejko dhe zonja e tij paskan qënë protagonist kryesorë të saj!
Një pyetje lind pas shpërfaqjes së këtij magaskandali tashmë të faktuar me hetime dhe shifra.
Çfarë do ndodhë me mijëra të mashtruarit e MCA dhe Final, nëse këto dy kompani mashtruese që i mbajti për shumë vite në sqetull Guvernatori Sejko, nesër i mbyll SPAK?