Azgan Mërnica, autori vrasjes së policit në Fier prej më shumë se 24 orësh është në arrati. 23-vjeçari ka lëvizur në këmbë nga fshati i tij, Sulaj në Havaleas dhe Apoloni. Forca të shumta të policisë së Fierit, FNSH-së dhe RENEA janë angazhuar në kërkime. Gjatë pasdites u përqendruan në afërsi të parkut të Apollonisë, ku dyshohet se autori qëndron i fshehur në ndonjë bunker.
Po kështu po ushtrohen kontrolle në automjete përgjatë aksit Fier-Seman ndërsa autori dyshohet se është larguar në drejtim të Gjirokastrës e Tepelenës.
Ka negociata me familjarët për t’u vetëdorëzuar, babai deri tani ka qenë bashkëpunues me policinë, por nuk ka rezultate akoma.
23-vjeçari ekzekutoi mesditën e 13 majit, me plumb në kokë, efektivin e Shqiponjave Novruz Canaliaj, i cili përcillet nesër në banesën e fundit. Shkak për vrasjen dyshohet se është bërë nje konflikt i momentit për kalimin e një rruge të ngushtë në fshatin Baltëz, ku jetonte viktima, ndërsa autori jetonte në fshatin fqinj.
Mësohet se Azgan Mernica, shoqërohej nga nëna e tij në makinë, kur ndodhi krimi. Ajete Mërnica në dëshminë e dhënë për hetuesit është shprehur se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. I biri zbriti nga makina dhe nisi të konfliktohej me policin.
“Kam dëgjuar një të shtënë arme”, ka deklaruar nëna e autorit, “më pas djali më ka dërguar me makinë te shtëpia e vëllait tim dhe është larguar”.
Si u vra efektivi i ‘Shqiponjave?
28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, 23 vjeç, për radhën e kalimit me makinë. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit. Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes.