Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, për të njëjtën kërkesë penale të depozituar nga avokati i arrestuar Arben Lena, brenda një periudhë 13 ditore, ka marë dy vendime të kundërta mes njëri-tjetrit, megjithëse kërkesat penale ishin bërë nga i njëjti person, i vënë nën hetim për “Ushtrim i ndikimit ndaj gjyqtarit”.
Rasti për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, ka krisur sigurinë juridike të çështjes penale, ku të proceduar nga SPAK janë marë Kryetari i Dhomës së Avokatëve në Korçë, Arben Lena, sekretarja e tij Dajana Kodra, dy sekeserët Nikolla Jesku, Nikoll Hafesllari, Bledar Koziçi dhe Artiana Koziçi.
Kjo pasi brenda një kohe rekord prej 13 ditësh në Gjykatën e Apelit të Posaçëm dhe në Gjykatën e Posaçme të shkallës së parë janë gjykuar dy kërkesa me të njëjtin objekt të avokatit Arben Lena.
Në kërkesën e parë të gjykuar në 26 Prill 2024 Gjyqtarja e Apelit, Nertina Kosova, ka vendosur të lerë të palëvizuar masën e “arrestit në burg” për të arrestuarin Arben Lena.
Por teksa kjo kërkesë u rrëzua në Apel, avokati i arrestuar Lena ka ribërë të njëjtën kërkesë në Gjykatën e Shkallës së parë, aty ku në datën 9 Maj 2024 po zhvillohej seanca paraprake ndaj 6 personave të marë të pandehur nga SPAK.
Gjyqtari i seancës paraprake Erion Çela, ende pa gjykuar kërkesën për kalim në gjyq të dosjes së prokurorisë SPAK, me një lehtësi të befasishme ka marë në shqyrtimin kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë të avokatit Arben Lena nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Megjithëse kjo kërkesë u kundërshtua në seancë nga përfaqësuesi i akuzës, i cili kërkoi rrëzimin e saj për shkak se skishte asnjë rrethanë të re nga ato që ishin diskutuar dhe shqyrtuar 13 ditë më parë në gjykatën e Apelit, gjyqtari Erion Çela, vendosi të zbusë masën e sigurisë për lenën, duke e çuar në arrest në shtëpi.
Që prej mbrëmjes së djeshme Lena është transportuar nga policia e burgjeve në drejtim të Korçës.
Ndërsa prokurori i çështjes Elvin Gokaj, që prej ditës së sotme ka depozituar ankimin e këtij vendimi të marë nga gjyqtari Erion Çela, duke kërkuar në Apel ndryshimin e tij dhe rikthimin në burg të avokatit, Arben Lena.
Ka dyshime të forta se vendimi është marë mes ndikimeve dhe trysnisë së faktorëve të jashtëm dhe jo sipas akteve dhe provave që ndodhen në dosjen penale.
Ndërkohë për të njëjtat prova, e njëjta gjykatë vijon të mbajë në burg dy personat e arrestuar për këtë çështje Nikolla Jesku dhe Nikoll Hafesllari, të cilët janë njerëzit që i kanë dhënë 5 milion lekë avokatit me qëllim të ushtronte ndikim tek gjyqtari i çështjes për lirimin e një personi nga burgu.
Nga ana tjetër burime pranë prokurorisë së posaçme SPAK thanë se veç hetimit penal ndaj Arben Lena, është nisur dhe një hetim pasuror, veprimet proceduriale të së cilit nuk u morën në konsideratë nga gjyqtari Çela.
Deri në këtë fazë të hetimit pasuror, SPAK ka zbuluar disa pasuri në emër të avokatit Lena, kompani, television kabllor në Korçë, transferta bankare në Greqi, breda Shqipërisë dhe deri në Amerikë.
Mes kompanive që SPAK ka zbuluar në emër të avokatit është kompania “Enkelana Comunication”, të cilën Lena e ka blerë në 2017 nga Foto Ciko, kundrejt 500 mijë lekë të vjetra.
Kjo kompani ka si objekt:
”…Operator publik i telekomunikacioneve, projektim, instalim e shfrytëzim i sistemeve, rrjeteve e paisjeve fundore të telekomunikacioneve, veprimtari zbatuese në ndërtim, tregëtim me shumicë e pakicë i artikujve industrial…”.
Ndërkohë Lena rezulton pronar me 50 për qind të aksioneve dhe në kompaninë “Orikum Telekomunikation”, ku pjesa tjetër disponohet nga ortaku i tij, Myrte Lamaj.
Një tjetër kompani ku Lena rezulton të jetë pronar është “RU-TEL” i cili në këtë kompani ka hyrë duke blerë aksionet tek shtetasi Sose Saliu.
Gjithashtu Lena disponon dhe një televizion kabllor në Korçë, “Teleco-KO”, kapitali i të cilit i deklaruar në QKB është 46 milion lekë të vjetra. Prej muajit Prill 2013 e në vijim Lena vijon të jetë pronar 100 për qind i këtij televizioni kabllor në Korçë.
Mes bizneseve është dhe zyra e avokatisë “LENA&PARTNERS LAË” dhe disa prona të tjera të paluajtshme në qytetin e Korçës dhe jo vetëm.