Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka publikuar përgjigjen që SPAK ka përcjellë për të pas interesit për të mësuar sesa persona të dënuar nga GJKKO kanë përfituar lirim nga burgu nga amnistia penale.
Duke iu referuar kësaj përgjigjeje Bardhi tha në kuvend se asnjë subjekt i posaçëm i SPAK nuk ka përfituar nga Aministia. Po kështu nuk ka përfituar asnjë procedim penal nën hetim nga SPAK apo proces gjyqësor i pa përfunduar me vendim të formës së prerë nuk ka përfituar. Gjithashtu asnjë gjyqtar apo prokuror nuk ka qenë në burg në kohën e hyrjes në fuqi të Amnistisë dhe për pasojë nuk kishte sesi të përfitonte lirimin nga burgu.
Kërkesë për informacion e Gazment Bardhit drejtuar kreut të SPAK me 25 prill 2024
I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë,
Me ligjin nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rregullat për përfitimin e amnistisë nga persona të dënuar apo në procedim penal. Në një përgjigje për median, Prokuroria e Posaçme ka sqaruar se: “Nga analiza e Prokurorisë së Posaçme, për ndikimin e ligjit të sapo miratuar nr. 33/2024. “Për Dhënie Amnistine”, ka një numër të dënuarish për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, i Kodit Penal, që përjashtohen nga vuajtja e dënimit.
Për disa persona pavarësisht përfitimit të këtij ligji, e kanë vuajtur pjesën e dënimit të tyre. Nga ana tjetër nuk ka subjekte apo procedime që përfitojnë amnisti nga ndjekja penale. Mbështetur në të dhënat e Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Prokurorinë e Posaçme, ju informojmë se nga ky ligj përfitojnë një numër personash të dënuar, si më poshtë vijon: Për vitin 2021 janë 16 persona: Për vitin 2022 janë 24 persona; Për vitin 2023 janë 18 persona; Për vitin 2024 janë 22 persona”.
Në këto kushte, në përputhje me nenin 8 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999, “Statusi i deputetit”, i ndryshuar, nenin 94 të Rregullores së Kuvendit, si dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë nga ana juaj të na informoni përsa më poshtë:
1. Përfituesit që përmenden në statistikat tuaja janë persona të dënuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, i Kodit Penal, dhe është kjo kategori të dënuarish që përjashtohen nga vuajtja e dënimit?
2. Në sqarimin tuaj thuhet se “për disa persona pavarësisht përfitimit të këtij ligji, e kanë vuajtur pjesën e dënimit të tyre”. Sa është numri i tyre, dhe cfarë përfitojnë këta persona nëse e kanë vuajtur pjesën e dënimit të tyre? A është përfshirë kjo kategori tek të dhënat statistikore të përmenduara në sqarimin tuaj publik?
3. Mbështetur në të dhënat e Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Prokurorinë e Posaçme, nga ky ligj përfitojnë një numër personash të dënuar, si më poshtë vijon:
a) Për vitin 2021 janë 16 persona. Për çfarë veprash penale kanë qenë të dënuar këta persona dhe sa prej tyre ishin duke vuajtur dënimin në burg?
b) Për vitin 2022 janë 24 persona. Për çfarë veprash penale kanë qenë të dënuar këta persona dhe sa prej tyre ishin duke vuajtur dënimin në burg?
c) Për vitin 2023 janë 18 persona. Per çfarë veprash penale kanë qenë të dënuar këta persona dhe sa prej tyre ishin duke vuajtur dënimin në burg?
d) Për vitin 2024 janë 22 persona. Për çfarë veprash penale kanë qenë të dënuar këta persona dhe sa prej tyre ishin duke vuajtur dënimin në burg?
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,mbetemi në pritje të dërgimit të informacionit të kërkuar më sipër, brenda afatit të përcaktuar nga ligji.
Me respekt,
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
KRYETARI
Gazment BARDHI