Ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi me Kreun e Prezencës së OSBE në Tiranë Clarisse Pasztory dhe përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile, një Memorandum Mirëkuptimi përmes së cilit palët angazhohen të bashkëpunojnë për realizimin e fushatave kombëtare ndërgjegjësuese, me synim parandalimin e rreziqeve që vijnë nga fenomeni i armëmbajtjes pa leje.
Nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit vjen në kohën e duhur pasi OSBE në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme janë prag të prezantimit të dy fushatave ndërgjegjësuese.
Këto fushata synojnë të ndërgjegjësojnë vajzat dhe djemtë e rinj, si dhe burrat dhe gratë, për tema që lidhen me rreziqet dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit, te cilat në shumicën e rasteve janë të lidhura ngushtë me dhunën me bazë gjinore.
Si pjesë e këtyre fushatave, OSBE ne bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit synojnë të zhvillojnë aktivitete te përbashkëta me shoqërinë civile, të cilat do të shtrihen në shkolla dhe komunitete në ato zona të identifikuara tashmë nga strategjia.
Memorandumi u firmos nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Dafina Peci, Drejtoreshë e Zyrës Kombëtare e “Terre des Hommes” Enkelejda Kallçiu, Drejtoresha Kombëtare Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim Mirela Arqimandriti, si dhe Lumjana Cenaj në emër të Qendrës së Gruas për Zhvillim dhe Kulturë në Shqipëri.
Ky Memorandum mbetet një platformë e hapur për ato organizata që duan t’i bashkohen nismës dhe të mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit Shqiptar për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.
Në fjalën e tij ministri Balla tha se armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë, “Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë”, u shpreh Balla.