Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar procedimin penal, mbi bazën e materialeve procedurale të përcjella nga Komisariati i Policisë Shkodër, referuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Erdgys Arrazi.
Në dosjen e siguruar nga gazetari Elton Qyno thuhet se nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, shtetasi Erdgys Arrazi i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.
Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja Alma Arrazi me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën V.P., në lagjen “Iliria” Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas kanë dalë jashtë, ku shtetasja Alma Arrazi i ka thënë shtetases V.P. se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një jave tek shtëpia e tij që të qetësohej. Më pas është ndarë nga kunata, ku shtetasja Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër.
Në vijim nga ana e shërbimeve të policisë është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve Alma Arrazi e datëlindjes 15.11.1985, E. A e datëlindjes 20.10.2015, G.A e datëlindjes 17.09.2015 dhe A.A i datëlindjes 27.03.2021. Rezulton se në datën 04.05.2024 rreth orës 22:00, shërbimet e policisë janë njoftuar se është gjetur trupi i pa jetë i një fëmijë të mitur, në anë të lumit Buna në fshatin Darragjat, Njësia Administrative Dajç, identifikuar si shtetasja E.A. e datëlindjes 20.10.2015.
Është bërë këqyrja e kufomës së shtetases E.A. në prani të mjekut ligjor, ku nga këqyrja e jashtme nuk janë konstatuar shenja dhune. Është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasen Ergys Arrazi me qëllim përcaktimin e dëmtimeve që konstatohen në trupin e viktimës dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Nga ana e policisë gjyqësore është ushtruar kontroll banese shtetasit Ergys Arrazi ku nuk janë konstatuar sende të paligjshme.
Deri në këtë faze janë krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova se shtetasi Erdgys Arrazi si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e shtetases Alma Arrazi e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lum bashkë me tre fëmijët e mitur.
Në këto kushte është kryer ndalimi i shtetasit Erdgys Arrazi si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.
Vijojnë hetimet me qëllim këqyrjen e të gjitha pamjeve filmike të kamerave përreth vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e itinerarit të shtetases Alma Arrazi dhe fëmijëve të mitur, vijon pyetja e personave që kanë dijeni për ngjarjen dhe kryerja e hetimeve të tjera me qëllim për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me zbardhjen e plotë të rrethanave të faktit penal dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale.