Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po hetohet nga SPAK. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar një aksion këtë të premte në ambientet e AKSHI-t. Lajmi është bërë me dije nga burime për “Kapitali.ai”.
Paraditen e sotme, prokurorët e SPAK, së bashku me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë në zyrat e AKSHI-t duke sekuestruar kompjuterë dhe telefona, në kuadër të një hetimi për korrupsionit.
Aksioni është zhvilluar në kuadër të një tenderi të dhënë për laboratorët e “TIK” nëpër shkollat 9-vjeçare. Ky tender, me fond limit prej 1.66 miliardë lekësh ose 16.5 milionë euro, ka dyshime se ka pasur parregullsi.
Kjo pasi AKSHI ndryshoi kriteret e tenderit që parashikonte pajisjen e rreth 216 shkollave në rang vendi me klasa laboratorike. Këto klasa duhet të kishin gjithsej 14-19 laptopë dhe pajisje të tjera për nxënësit, me kosto 80 mijë euro për çdo klasë. Një çmim jashtëzakonisht i fryrë, duke marrë parasysh kostot e tregut.
Në prokurimin e hapur nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kanë marrë pjesë 5 subjekte, një nga të cilat nuk ka dhënë fare ofertë.
Në garë për tenderin ishin “Sineteza” në bashkëpunim me “Fredi elektronik”, të cilat të dyja bashkë kanë kërkuar 229 milionë lekë ose 1 milion e 909 mijë euro për të realizuar kontratën.
Një tjetër subjekt ka qenë “PC store” me ofertë 262 milionë lekë ose 2.1 milionë euro, por fituese ka dalë “Albascan” që kërkoi më shumë para sesa oferta më e ulët. Pra tenderi u fitua nga kompania Albascan, që deri në vitin 2017 kishte një xhiro të papërfillshme. Kompania u krijua në shkurt të vitit 2017 nga dy ortakë, Sokol Cane dhe Etmira Dashi. Të dy këta aksionerë zotëronin nga 50 për qind të aksioneve. Gjatë kohës që ishte në pronësinë e tyre kompania mbeti një biznes i vogël me xhiro të papërfillshme.