Teksa hetimet dhe prangat e SPAK janë përqëndruar në Tiranë, kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo po bën kërdinë me paratë publike, duke zbatuar një skemë të frikshme korrupsioni të ngjashme me aferën 5D si dhe me skemën e ish kreut të ARRSH, Evis Berberi.
Në Berat është e dokumentuar një skemë korrupsioni me protagonist Ervin Demon, i cili kanalizon paratë publike në xhepat e babait të tij Zehni Demo si dhe në xhepat e shokëve të babait Fatos Jaupi, Marsel Shega dhe Sherif Kapllani.
Paratë e vjedhura me tendera korruptivë janë investuar në pasuri të paluajtshme nga Tirana në bregdet.
Pjesë e kësaj skeme janë edhe disa shokë kryebashkiakë të Ervin Demos, të cilët janë nën hetim nga SPAK-u.
Për t’i shpëtuar goditjes së SPAK-ut është aplikuar edhe skema e dhënies së tenderave me shkëmbim, me vlerë miliona euro.
Jo vetëm kaq, por Ervin Demo u ka dhënë tendera edhe figurave të njohura të krimit të organizuar, të cilat janë nën hetim nga SPAK si dhe kanë qenë objekt i OFL si subjekte të ligjit anti-mafia.
Nuk dihet nëse tenderat i ka firmosur pasi e kanë rrahur, nën kërcënim apo duke ndarë përqindjen, por ligji ndalon rreptësisht lidhjen e kontratave publike me personazhe të krimit të organizuar, të konfirmuar si të tillë me vendime gjyqësore të formës së prerë.