Pas vendosjes së një sasie tritoli në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e sotme ka vendosur të caktojë mbrojtje për gjykatësin dhe familjen e tij.
Të gjithë anëtarët vendosën me vota unanime që për një periudhë 6 mujore, Gjyqtari Stërkaj dhe familjat e tij të vendoset në mbrojtje nga efektivë të policisë së shtetit dhe repartit “RESI”.
Ngjarja është shënuar rreth orës 03:13, të 28 prillit 2024, në lagjen “Tom Kola” të këtij qyteti. Shpërthimi fatmirësisht nuk ka shkaktuar të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale ndërsa një grup hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe autorin.
Policia e Shkodrës është e bindur tashmë se vënia e sasisë së lëndës plasëse në shtëpinë e gjyqtarit Tonin Sterkaj është e qëllimshme. Kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin të veshur me rroba të errëta dhe me maskë i cili pasi lë lëndën plasëse largohet në këmbë përmes rrugicave.
Është marrë në pyetje dhe gjyqtari Sterkaj por dëshmia e tij nuk ka ndihmuar hetuesit pasi ka thënë se nuk kishte dijeni se kush mund të ishte autori.