Hetimet që janë duke u zhvilluar në prokurorinë e Tiranës për tjetërsimin e pronave në ish-komunën Bërxullë, po zgjerohen dhe tek raste të tjera, ku dyshohet se Ymer Marku, në cilësinë e ish-kryekomunarit dhe zyrtarë të tjerë, kanë abuzuar me detyrën duke falsifikuar një seri dokumentash, me qëllim tjetërsimin e dhjetëra parcelave.
Dyshimet e prokurorëve të kryeqytetit tregojnë se Ymer Marku dhe zyrtarët e tjerë të ish-komunës Bërxullë, nuk janë implikuar vetëm tek tjetërsimi i sipërfaqes prej 7500 m2 tashmë e kompletuar nga ana hetimore, duke çuar 4 vetë në pranga.
Por hetimet janë shtrirë dhe tek një rast i dytë dhe i tretë, me sipërfaqe prej 10.800 m2 dhe 10.000 m2, pasi ka indicie të forta se Ymer Marku, miqtë e tij dhe ish-zyrtarët e komunës Bërxullë janë implikuar.
Tek rasti i dytë që bën fjalë për tjetërsimin e 10.800 m2 tokë Ymer Marku ja ka dhënë djalit të dajës së tij, Tahir Cenës, i cili më pas ja ka shitur kompanisë “Alko Impex”, që menaxhohet nga Arbër Abazi.
Ndërsa tek rasti i tretë, thonë hetuesit verifikimet janë shtrirë për pasurinë me nr.480/27 që ndodhet në zonën kadastrale 1167, e cila ka ndryshuar disa herë pronarë, dhe aktualisht ndodhet në emër të Arjol Bicit.
Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se Arjol Bici, është një emër që maskon pronësinë e vërtetë të kësaj pasurie, pasi nga verifikimet e kryera ai punon si shofer dhe nuk ka mundësi ekonomike për të blerë një sipërfaqe kaq të madhe toke.
Arjol Bici, ka lidhje të forta shoqërore me njërin nga vëllezërit e ish-kryekomunarit të arrestuar, Ymer Marku, ndaj hetimet janë përqëndruar në këtë pasuri që dikur ka qënë shtetërore dhe tashmë ka përfunduar e rregjistruar në hipotekë në emër të personave privatë.
Sipas burimeve të prokurorisë, sipërfaqja prej 10.000 m2 ka qënë një pronë që i përkiste shtetit. Nga verifikimet e kryera në seksionin e pronësisë në hipotekën e Tiranës, në rreshtin 1, tregohet se në 7 shtator 2006 kjo pronë rezulton e rregjistruar me “SHTET” dhe ndodhet në Bërxullë.
Në rregjistrimin fillestar të kësaj pasurie vihet re një korrigjim i datës së rregjistrimit të kësaj pasurie. Por në rreshtin 2, tregohet se në 14 qershor 2006, kjo pasuri është rregjistruar në emër të Hamza Dybelit. Çertifikata është dorëzuar nga hipoteka në 8 shtator 2006.
Sipas datave të pasqyruara në rreshtin 1 dhe rreshtin 2, rregjistrimi në emër të Hamza Dybelit është bërë gati dy muaj e gjysëm më parë, se sa prona të rregjistrohej në “SHTET”.
Këtu ka një përplasje datash dhe pronarësh fillestarë, pasi është e paqartë se si nga “SHTET”, sipërfaqja e tokës prej 10.000 m2 bëhet privat dhe nga privat kjo sipërfaqe është rregjistruar dy muaj e gjysëm më vonë në SHTET.
Dyshimet e prokurorëve flasin se Hamza Dybeli, ka qënë një nga pronarët fiktivë që s’ka asnjë lidhje me pronën, por emri i tij është përdorur për rregjistrimin fiktiv të kësaj pasurie.
Në kohë rekord dhe vetëm pak ditë pasi Hamza Dybeli është paisur me çertifikatën e pronësisë që mban datën 8 shtator 2006, në 13 shtator 2006 ai është paraqitur tek noterja Majlinda Lleshi, duke shitur këtë pronë kundrejt 50 milion lekë të vjetrave tek një person tjetër që quhet Dali Çejku nga Kukësi.
Dali Çejku, nga të dhënat që ka mbledhur grupi i hetimit në periudhën kur është situr toka, ka qënë shok i ngushtë i Sokol Markut, vëllait të ish-kryekomunarit Ymer Marku.
Dyshimet janë se Çejku nuk ka lidhje me tokën dhe ska pasur asnjë përfitim, por emri i tij është vendosur në mirëbesim si shok i ngushtë i vëllait të ish-kryekomunarit Marku.
Më pas kjo pronë me sipërfaqe prej 10.000 m2, ka ndryshuar sërisht pasi Dali Çejku ka shkuar tek noterja Dhimitra Qarri, duke firmosur një kontratë shitje të kësaj prone, tek Florjan Lila.
Grupi i hetimit ka mbledhur të dhëna se Florian Lila, është miku i ngushtë ish-kryekomunarit Ymer Marku, pasi së bashku kanë marëdhënie familjare dhe partiake.
Më pas kjo pasuri në 9 dhjetor 2016 transferohet tek Lavdrim Bici. Kurse në 8 mars 2021, pasuria ka një tjetër pronar që quhet Arjol Bici, i cili nga verifikimet e hetuesve punon si shofer dhe është mik i vëllait të Ymer Markut.
Ky rast i dyshimtë i kapërcimit të pronarëve të njëpanjësh mbi këtë pronë me 10.000 m2, tashmë është duke u hetuar nga prokuroria e Tiranës, së bashku me dy rastet e tjera, atë të abuzimit dhe tjetërsimit të sipërfaqes prej 7500 m2 dhe 10.800 m2.