Konferenca “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri” ka mbledhur bashkë kryeministrin, ministrat e kabinetit qeveritar dhe krybashkiakët për të prezantuar planin për mbarëvajtjen e turizmit.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij vuri theksin dhe tek ofrimi i cilësisë jo vetëm tek numrat.
“Sot kemi hyrë në ‘Champions League’ e turizmit Mesdhetar, në kampionatin e konkurencës së turizmit. Ky është sa moment historik por dhe sfidash. Se kemi hyrë por duhet të mbetemi. Italia, Franca, Spanja, Greqia nuk bien nga Champion. Ne nuk e kemi të konsoliduar pozicionin tonë. E jo vetëm që duhet ta konsolidojmë por dhe të jemi çdo vit e më shumë më konsolidues”-tha kryeministri Edi Rama.
Rama kishte dhe një thirrje të rinjve që punojnë në hoteleri në vendet e Mesdheut
“Çfarë kërkoni atje, pse rrini atje? Të gjithë hotelet janë vende të lira dhe kanë nevojë të madhe për punonjës të kualifikuar. Do të ketë pagat më të mira në rajon për turizmin” tha Rama.
Kryeministri vuri theksin tek pastërtia dhe menaxhimi i mbetjeve gjatë sezonit turistik.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se për shkak të fluksit, do duhet të shtohen edhe 100 punonjës Policie në aeroportin e Rinasit. Në një aktivitet për sigurinë në turizëm, Balla u ndal edhe në shifra duke thënë se Rinasi raporton 900 mijë pasagjerë më shumë se viti i kaluar.
“Aeroporti “Nënë Tereza”, porta më e madhe hyrëse e turistëve në Shqipëri gjatë 3 mujorit të parë të 2024 ka pritur rreth 900.000 pasagjerë më shumë se vitin e kaluar. Shifra do shkojë përtej çdo pritshmërie apo parashikimi. Bashkë me policinë do na duhet të shtojmë edhe 100 punonjës të tjerë policie me qëllim përballimin e fluksit. E nisa fjalën me këto shifra nga Rinasi, pro në fakt i njëjti trend rritje raportohet në pikat e kalimit kufitar. Shifrat e 4 muajve të parë të 2024 shërbejnë për të treguar se turizmi në Shqipëri po bëhet vjetor dhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm”, vijoi Balla.
Balla theksoi se Policia ka gati një plan masash për sigurinë e turistëve që do shtrihet në gjithë vendin. Balla tha se do të shtohen edhe gjashtë stacione policie shtesë në zonat më të frekuentuara, si Thethi, Valbona, Ksamil, Tale. Në Koman do ketë njësi shërbimi 24 orë.
“Policia ka gati një plan të madh, që shtrihet në gjithë territorin. Nga pika e kalimit kufitar, në akset kombëtare, nga zonat bregdetare në malore, te sitet historike të aktivitetet kulturore me një objektiv të qartë 100% siguri për turistët vendas dhe të huaj”, tha Balla.