Qeveria shqiptare ka ‘ulur brekët’ para grupit mafioz Bankers Petroleum, duke tradhtuar interesin publik dhe bashkëpunuar me kinezët në plaçkitjen e pasurisë nëntokësore të shqiptarëve, në krime katastrofike mjedisore, mashtrim dhe korrupsion.
Gjatë dy dekadave, të ardhurat e Bankers nga nxjerrja e naftës janë rreth 4 miliardë euro. Kompania ka paguar zero taksa, pasi çdo vit manipulon dhe fryn shpenzimet.
Batërdia është provuar nga disa raporte të KLSH. Është provuar nga AKBN, Albpetrol, nga disa vendime gjykatash të formës së prerë etj.
(Një pjesë e shpenzimeve abuzive të Bankers në 2011).
Në vitin 2011, Bankers sajoi 247 milionë USD shpenzime të parregullta, për të mos paguar 60 milionë USD taksa.
Edhe një gjobë 100 milionë euro për mashtrime dhe manipulime, konfirmuar nga Gjykata e Lartë, u pezullua nga Anila Denaj kur ishte ministre e Financave.
Asnjë media nuk shkruan për vjedhjen më të madhe, ndoshta që nga Periudha Romake. Asnjë politikan nuk flet.
Në prill të vitit 2015, kryeministri Edi Rama paralajmëroi Bankers se nuk do të lejohej më të vidhte pasurinë nëntokësore të Shqipërisë.
“Këto 18 muaj na kanë mjaftuar për të bërë një analizë shumë të qartë, të një sistemi të korruptuar dhe zhvatësish e grabitësish që shtrihet në të gjithë zinxhirin. Bazuar në auditin ndërkombëtar, ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka shtetit shqiptar, dhe për çdo problematikë kompania do të vihet përpara përgjegjësisë si në SHBA, Gjermani apo Kanada. Ne nuk kemi luksin të mbyllim sytë apo të humbim qoftë edhe 1 litër naftë që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe aq më tepër të na e marrin siç ju teket atyre. Ashtu si me universitetet na kanë lënë me kontrata fantazmë”, deklaroi Rama.
Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankers nisi në vitin 2014, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të bilancit bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011 dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit ishin të parregullta.
Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë. Për të shmangur taksat dhe fshehur fitimet, Bankers kishte sajuar 247 milion dollarë shpenzime.
Bazuar në auditimin e AKBN-së, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dorëzoi Bankersit një pretendim për 60 milionë dollarë taksa të papaguara.
(Pjesë e skemës së Bankers për shpenzime fiktive dhe pastrim parash hanë oligarkët Sadik dhe Idajet Ismailaj).
Tatimet i bllokuan llogaritë kompanisë, e cila nuk pagoi kurrë taksa, pasi çdo vit manipulonte shpenzimet dhe kryente shpenzime të parregullta.
Kompania Bankers kërcënoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij me ndrërprerjen e nxjerrjes së naftës dhe me procese në Arbitrazh. Në vend që kompania të sekustrohej dhe të ndiqej kudo në SHBA, Kanada dhe Kinë për zhvatjen e naftës me vlerë disa miliardë euro, mashtrime me pasoja të rënda dhe katastrofa mjedisore, Bankers kërcënoi hapur Edi Ramën.
Kompania paralajmëroi se nëse autoritetet shqiptare nuk do t’i zhbllokonin llogaritë ajo do të vazhdojë reduktimin e naftës së prodhuar deri në ndalimin e plotë të operacioneve të saj. Kërcënimi ishte si ai i hajdutit pasi e ke kapur duke të vjedhur në shtëpi.
Edi Rama iu përgjigj Bankersit, duke theksuar se “Teksa qeveria mirëpret partnerët e huaj apo vendas, pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të keqpërdoren, as mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit. Të gjithë kompanitë që punojnë në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendase, duhet t’u binden rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për detyrimin dhe të drejtën e saj që të mos lejojë cenimin e integritetit afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit“.
Por, pas këtij kërcënimi, pavarësisht kësaj deklarate, qeveria u tërhoq, ndërsa Bankers vijoi avazin e vjetër; Nxirrë naftë nga nëntoka shqiptare dhe mos paguaj taksa.
Nuk kemi prova se pse u zbyth qeveria; ndan fitimet me Bankers në Offshore apo Bankers ka përdorur fuqi të tjera për shantazh. Por, është e provuar se qeveria aktuale, ashtu si ato të mëparashmet, nuk ka fuqi të mbrojë interesin e shqiptarëve përballë organizatës kriminale Bankers.
Qeveria shqiptare nuk ka këllçe të kërkojë zbatimin e marrëveshjes nga kinezët.
Edhe lajmet për përplasjen e qeverisë shqiptare me Bankers u zhdukën nga mediat. Bankers u paguan miliona euro mediave që të mos raportojnë krimet e saj mjedisore dhe financiare, si dhe të bëjnë propagandën e saj kur bën ndonjë rrugë fshati, me një përqindje të papërfillshme të parave që vjedh.
Mediat, përveçse mision, janë edhe biznes. Kanë hallet e zakonshme financiare. Por, ka disa parime dhe vija të kuqe ku nuk bëhet kompromis. Është e rëndë dhe damkosëse që disa televizione mbulojnë krimet financiare dhe mhedisore të Bankers për disa bakshishe që u jep kompania nga qindra milionë euro që ka vjedhur me shfrytëzimin e naftës shqiptare.
Prapaskena do të publikojë në vijim të gjitha pagesat e Bankersit për mediat dhe shpenzimet e tjera skandaloze, luks, harbim dhe pagë deri në 1 milionë euro në vit pêr një drejtor.
Bankers fsheh pronarin përfitues
Kulmi arrin kur Bankers jo vetëm nuk zbaton kontratën koncensionare dhe sajon shpenzime për të mos pagua tatim fitimi, por kompania nuk zbaton as ligjet e tjera shqiptare, siç është detyrimi ligjor për të deklaruar pronarët përfitues.
Kompania fsheh pronarët përfitues pas disa numrave dhe kodeve, duke ngritur dyshime të forta dhe veshur me përgjegjësi penale edhe QKB.
Duke fshehur pronarët përfitues, ngrihen dyshime se pas Bankers mund të fshihet edhe ndonjë politikan shqiptar dhe se paratë mund të ndahen në ofshore sipas roleve në zhvatjen 20-vjeçare të naftës shqiptare.
Shoqëria mëmë e Bankers Petroleum Albania Ltd, e themeluar në 15.04.2004 parajsën fiskale ishujt Cayman, është BANKERS PETROLEUM INTERNATIONAL LIMITED.
Ndërkaq kompania mëmë e BANKERS PETROLEUM INTERNATIONAL LIMITED është BANKERS PETROLEUM LTD e regjistruar në Kanada.
Kompania mëmë e BANKERS PETROLEUM LTD është kompania CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED e themeluar në dhjetor 2015 në Hong Kong.
Kompania mëmë e CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED është GEO-JADE PETROLEUM CORPORATION e regjistruar dhe me qendër në Kinë.
Se kush është pronari i CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED nuk dihet.
Në vend të pronarëve janë deklaruar disa numra:
Pronari I: 91310000MA1K335
Pronari II: 91330206MA281NW
Pronari III: 911201187916984
Shqiptarët vidhen, por nuk e dinë se kush i vjedh. Ligjet shqiptare e detyrojnë Bankers t’a deklarojë pronarin fundor, por Bankers nuk pyet për ligje dhe shtet.
Drejtor i kompanisë CHARTER POWER INVESTMENT LIMITED, që kontrollon Bankers përmes disa kompanive guacka, është kinezi anonim Huan Long Chen.
Anëtarë të kompanisë që merr fitimet e zhvatjes së naftës shqiptare janë Jie Huang, Wen Tao Wang, Huan Long Chen, Ding Zhang, Ju Gao MBA, Yi Guo, Yang Yu dhe Yu Zhang Liu.
Si administrator të Bankers në Shqipëri kanë caktuar 62-vjeçarin kinez Huanqin Xiao, i cili i ka vendosur rrogë vetes 1 milionë euro në vit.
Para Huanqin Xiao, drejtori i Bankers ishte
Qing Fang. Para Qing Fang ka qenë administrator ka qenë Xingyun Sun. Para Xingyun Sun administratorë kanë qenë Suneel Krishan Gupta, Leonidha Cobo dhe Richard Ferguson. I vetmi administrator shqiptar ka qenë Leonidha Cobo, i akuzuar nga vetë Bankers për vjedhje miliona euro, për të mbuluar vjedhje të tjera.